
E premtja e 3 Marsit parashikohet të jetë në ditë me zhvillime të rëndësishme.
Më 3 mars është parashikuar të mbahet seanca për vulën e PD, protesta e Foltore së Sali Berishës dhe gjyqi për Aldo Baren.
Seanca për vulën e PD
Seanca për vulën e Partisë Demokratike do zhvillohet në 3 Mars.
Kjo një nga me ngjarje të rëndësishme të politikës në vend, pasi pritet që Gjykata e Apelit ti japë fund diskutimeve se kujt i takon vula e PD-së, Berishës apo Alibeajt.
Ankimi i PD-së ndaj vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri do të shqyrtohet nga relatorja Elona Mihali.
Seanca në Apel do të shqyrtojë çështjen më të “nxehtë” në kampin opozitar, atë se cilit grupim brenda selisë blu i përket logo dhe vula e Partisë Demokratike.
“Në vijim të komunikimit, duke marrë parasysh intersimin e mediave si dhe të opinionit publik, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ju informon se: Ankimi i Partisë Demokratike, ndaj vendimit nr. 3 datë 25.03.2022 (Gjyqtar Agron Zhukri) të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është planifikuar për tu gjykuar me datë 03.03.2023, ora 11:00, trupi gjykues përbëhet nga Relatore Gjyqtare Elona Mihali, anëtar Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Protesta e Berishës
Ish kryeministri Sali Berisha ka thirrur protestë kombëtare më 3 Mars.
Ai thotë se kjo nuk ka lidhje me datën kur pritet të merret vendimi në Gjykatën e Apelit për PD-në, por ka vetëm me Edi Ramën.
Berisha gjithashtu ka kërcënuar mazhorancën, duke e konsideruar përgjegjëse nëse Gjykata e Apelit nuk i jep vulën e PD, Foltores.
Në mitingun përpara Parlamentit, Berisha tha se "Taulant Balla ka shpallur vendimin e gjykatës kundër nesh".
“Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata më datën 3, unë i them Ballës, meqë ti je i pari që njofton vendimin.
Ja ku janë këta burra dhe unë të betohem para tyre e mbarë shqiptarëve dhe ti dhe Rama do bëheni përgjegjës personal për cdo akt armiqëesor ndaj PD dhe opozitës shqiptare.
Shko ku të duash, do të të çojmë kudo që të ndodhesh në çdo vrimë miu që të futesh do të të kapim e do të të cojmë te Gentian Sharra, miku yt.
Po të duam për tre minuta, jemi brenda në parlament. Prandaj ikni. Po vendosëm, jemi në sallë! Po vendosëm, jemi në sallë, asgjë nuk na pengon!
3 marsi është dita e madhe, 3 marsi është ditë fitoreje për revolucionin.
3 marsi është dita e çdo shqiptari, është dita në të cilën bëjmë betejën për të sotmen dhe të ardhmen tonë.
Edhe njëherë ju përshëndes shumë përzemërsisht, ta vazhdojmë betejën tonë.
Marshi drejt Surrelit është i pashmangshëm”, ka thënë Berisha.
Seanca për Aldo Baren
Këtë të enjte, në Elbasan u mbajt seanca e rradhës për Aldo Baren, i cili kërkon ulje të dënimit.
Avokati Oligert Kume paraqiti vlerësimet e sjelljes në burg të Bares dhe seanca e radhës do të zhvillohet në 3 mars.
“Sot më datë 23.02.2023 u zhvillua seanca e rradhës për të dēnuarin me burg përjetē Alfred Shkurti alias (Aldo Bare) me objekt ulje dënimi viti 2018 sipas parashikimeve te ligjit për të drejtat e të dënuarve!
Ievp Peqin paraqiti vlerësimet e sjelljes për këtë periudhë të kërkuar në objekt kërkese, por vijueshmërisht cënon parimin e barazisë së armëve në procesin gjyqësor, pasi nuk vuri në dispozicion të palës kopje të aktit!
E për këtë për t’u njohur me përmbajtjen e kësaj prove i kërkuam vënien ne disppzicion te kesaj prove dhe verifikimin e qëndrimit të IEVP Peqin. Seanca e rradhës do zhvillohet në 3 Mars 2023”, thuhej në deklaratën e avokatit Oligert Kume.
Aldo Bare është dënuar me burgim të përjetshëm.
Lini një Përgjigje