Qeveria ka vendosur që të legalizojë mbjelljen e kanabisit për qëllime mjekësore...
Zbardhen detajet si do të legalizohet kanabisi. Dje qeveria miratoi ligjin e shumëpërfolur, i cili mundëson që në vendin tonë të mbillet kanabis për shërbime mjekësore. Ligji përmban 44 nene dhe përcaktohen rregullat se si do të bëhet dhënia e licencave.
Kultivimi i lëndës narkotike i besohet ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministres së Bujqësisë, Frida Krifca. Kjo e fundit do kujdeset për pjesën e mbjelljes në fusha, ndërsa ministrja e Shëndetësisë për pjesën e përpunimit dhe përdorimit për arsye shëndetësore.
Ogerta Manastirliu do të jetë ajo që do merret licencat për përpunimin e drogës, ndërkohë që kompanitë që do të licencohen do e kenë të drejtën e aktivitetit për 15 vite.
Por ajo që bie në sy është se qeveria ka vendosur të rrisë sipërfaqen që mund të mbillet me kanabis. Një vit më parë, ligji i cili u miratua dje nga qeveria, doli për konsultim publik. Në draftin paraprak thuhej se në rang vendi mund të mbilleshin jo më shumë se 150 hektarë.
“Licenca përcakton një ose disa njësi për të cilat subjekti është licencuar. Nëse subjekti licencohet për më shumë se një njësi, ato duhet të jenë kufitare me njëra tjetrën dhe në çdo rast, jo më shumë se katër njësi, në të njëjtën licencë. Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 150 hektarë në rang kombëtar”, thuhej në versionin fillestar.
Mirëpo në draftin final të miratuar dje, sipërfaqja është rritur në 200 hektarë. “Sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar”, theksohet në ligj.

Për pjesën e kultivimit do të përgjigjet Ministria e Bujqësisë. Sipas ligjit, pajisja me leje kultivimi i jepet vetëm subjekteve që janë të regjistruar në Regjistrin e Kultivuesve të kanabisit industrial, i cili krijohet dhe administrohet në ministrinë përgjegjëse për bujqësinë.
Çdo fermer që kërkon të kultivojë kanabis duhet të dorëzojë këto dokumente: a) dokumenti i regjistrimit të fermerit, personit fizik ose juridik; b) vetëdeklarim që kërkuesi është i regjistruar në regjistrin e kultivuesve; c) listën e personelit të punësuar ose të nënkontraktuar për të drejtuar procesin e kultivimit nga të cilët jo më pak se 1 agronom, shoqëruar me: i) vërtetim që nuk janë në ndjekje penale; ii) vërtetim se nuk janë në në gjykim për ndonjë vepër penale; iii) dëshmi penaliteti; ç) vetëdeklarim për burimin e financimit të shpenzimeve, etj.
Sipas ligjit, kultivuesit do lejohen të mbjellin deri në 10 hektarë tokë. “Licenca për aktivitetin e kultivimit jepet vetëm në sipërfaqe të hapura, të mbuluara ose sera. Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për kultivim të cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e madhe se 10 hektarë”, thekson ligji.
Por kush mund të marrë licencën për kultivimin e kanabisit? Sipas zërave në korridoret e politikës, do të hyjë në lojë aktori Jim Belushi. Ky i fundit në tetor të viti që lamë pas erdhi në Tiranë dhe pati takim “kokë më kokë” me Ramën. Belushi ka një ndër fermat më të mëdha me kanabis në SHBA. Ai gjatë bisedës e pranoi se Rama e kishte thirrur pikërisht për këtë temë.
“E kam filluar me fermën time në Oregon dhe shtete të tjera të Amerikës deri kur më vjen një telefonatë nga kryeministri Rama që të vij dhe të diskutoj mundësitë e legalizimit të eksportit të kanabisit. Dhe përderisa unë kam fermën time të kanabisit, besoj se ai duhet të kishte dëgjuar për këtë dhe donte të dinte se cila ishte përvoja ime dhe mendimet e mia. Unë e di që kryeministri ka një ligj që është ende në parlament dhe nuk është miratuar ende. Sipas mendimit tim kanabisi është një bime medicinave që shëron dhe të ndihmon me shumë sëmundje. Duhet të bëjmë dallimin midis bimës mjekësore dhe krimit të organizuar që ka qenë i përfshire dhe i ka dhënë kanabisit këtë konotacion negativ.
Keni një klimë fantastike me rreth 300 ditë me diell. E përshtatshme për t’u xhiruar filma, ashtu si edhe për të rritur kanabis. Ne e dimë që Lazarati është kriminalizuar. Njerëzit aty në fakt janë njerëz që merren me bujqësi, ata e rrisin dhe kujdesen për këtë bimë me shumë pasion. Ne e identifikuam dhe konstatuam se ajo zonë është zona më e veçantë për ta rritur këtë bimë pasi ka të bëjë me pehashin e vetë tokës dhe me ujin”, tha ai. /Pamfleti
Lini një Përgjigje