
Duke marrë shkas nga zjarri i ndodhur pak ditë më parë në një ndërtesë 12 katëshe në Lushnje, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se ka urdhëruar këtë të mërkurë një inspektim në shkallë vendi për masat dhe mjetet të cilat rrisin dhe garantojnë sigurinë publike nga zjarri dhe nga shpëtimi.
Ai shtoi gjithashtu se kontrollet do të zhvillohen në çdo bashki dhe në mënyrë periodike, me kritere specifike.
“Në ushtrim të kompetencave si Ministër i Brendshëm për orientimin e zbatimit të politikave të veprimtarisë së shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, kam udhëzuar sot një inspeketim në shkallë vendi të masave dhe mjeteve për rritjen dhe garantimin e sigurisë publike nga zjarri dhe shpëtimi.
Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në Ministrinë e Brendshme, njësitë e MZSH-së në çdo bashki, Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit dhe inspektoratet e mbrojtjes së territorit në çdo bashki janë udhëzuar sot të kontrollojnë prej nesër dhe në mënyrë periodike masat dhe mjetet e mbrojtjes nga zjarri në çdo objekt, me kritere specifike sipas nivelit të rrezikut”, shprehet Balla.
Kujtojmë se pak ditë më parë, një qendër tregtare në një ndërtesë 12 katëshe në Lushnje, u shkrumbua nga zjarri duke lënë pas dëme të shumta materiale, por për fat të mirë nuk pati njerëz të lënduar.
Lini një Përgjigje