TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Korrik 2025, 13:37

Dhuna në Ksamil për çadrat, PD: E shkakton ligji, ndryshuan rregullat dhe çojnë njerëzit në përplasje

Shkruar nga Pamfleti

Dhuna në Ksamil për çadrat, PD: E shkakton ligji, ndryshuan

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me dhunën që 3 persona ushtruan ndaj pronarit të një hoteli në Ksamil, ndërsa konflikti lindi për administrimin e çadrave në vijën bregdetare.

Në një reagim, Dorjan Teliti bën përgjegjës shtetin lidhur me konfliktin, ndërsa i bën thirrje institucioneve të marrin përgjegjësitë.

Ai shprehet se politikat qeveritare dhe vendimet shtetërore të pa studiuara mirë dhe që nuk përshtaten shpeshherë me realitetin në terren, krijojnë konflikte të tilla dhe pasiguri jo vetëm te bizneset por edhe te qytetarët.

“Dënoj me forcë dhunën e përdorur, pasi çdo mosmarrëveshje, pavarësisht natyrës, nuk zgjidhet kurrë me sherr e dhunë. Kjo është një pikënisje e qartë dhe e pandryshueshme.

Por, le të thellohemi pak më shumë: kush e shkaktoi këtë konflikt në radhë të parë? Përgjigja na çon direkt te shteti dhe ligjet e tij. Që prej vitit të kaluar, hotelerive u është dhënë e drejta që të zotërojnë edhe çadrat e tyre në plazh. Kjo masë, ndonëse mund të ketë pasur synime të mira, la pas dore realitetin ekzistues.

Për 13 vite rresht, një lokal funksiononte, i cili ishte pajisur me leje në atë pjesë të plazhit për të vendosur cadrat, duke pasur një aktivitet të konsoliduar shumëvjecar me çadrat e tij.

Kur pronari i hotelit kërkoi lirimin e hapësirës (në zbatim të ligjit), u përball me "rezistencën legjitime" të pronarit të lokalit, i cili kishte një histori 13-vjeçare të përdorimit të lejuar nga shteti të asaj zone.

Kjo situatë nxjerr në pah një problem serioz: "mungesën e planifikimit afatgjatë dhe koordinimit nga ana e autoriteteve".

Si mundet që ligje të reja të hyjnë në fuqi dhe të zbatohen pa marrë parasysh investimet dhe aktivitetet ekzistuese, të cilat janë zhvilluar pikërisht me bekimin dhe lejen e vetë shtetit? Kjo paqartësi dhe ndryshim i papritur i rregullave është një burim i vazhdueshëm konfliktesh dhe pasigurie për biznesin.

Është koha që shteti të marrë përgjegjësitë e veta dhe të shmangë krijimin e situatave të tilla ku qytetarët dhe bizneset detyrohen të bien ndesh me njëri-tjetrin për shkak të vendimeve të nxituara dhe të pakoordinuara. Dhuna në këtë rast ishte pasojë, por shkaku është shpeshherë më i thellë dhe kërkon zgjidhje politike dhe administrative”, tha Teliti.

Lini një Përgjigje