
Kontradikta në qëndrime, kur nisi realisht verifikimi i kandidatëve për BKH?
Nuk ka më asnjë dyshim se kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit po mbahet qëllimisht peng. Më 1 shtator Aida Hajnaj u lirua nga kjo detyrë, por BKH, edhe pas 2 muajsh, nuk ka ende një drejtues.
Pas testeve fizike, testit me shkrim dhe poligrafit, mbetën në garë 7 kandidatë: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.
Por çdo ditë që kalon bëhet akoma edhe më e qartë se po bëhet një lojë shumë e pistë në prapaskenë, si për kreun e BKH, ashtu edhe për kreun e SPAK. Dhe protagonist duket se është vetë Altin Dumani, i cili kërkon të vërë në këto dy poste besnikët e tij.
Por çfarë ka ndodhur realisht? Argumenti që është përdorur gjithë këto muaj mbi ngecjen e procesit ka qenë se po ha kohë grumbullimi i dokumenteve për të bërë verifikimin e figurës dhe pasurisë së 7 kandidatëve në garë.
Por nëse shohim reagimet zyrtare të SPAK dhe lëvizjet brenda organit të akuzës, duket se nuk përputhen gjërat. Në datën 3 tetor u shpërnda në media lajmi se ishte mbledhur Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për të nisur verifikimin e kandidatëve. Lajmi u raportua fillimisht nga dy prej televizioneve kombëtare në vend, “Top Channel” dhe “TV Klan”. Dhe në fakt, atë ditë ka pasur një mbledhje dhe janë hapur dokumentet. mbledhje e pasqyruar më pas edhe nga "Pamfleti".
Por SPAK një ditë më parë ka bërë publike kërkesat dhe përgjigjet në kuadër të transparencës. Dhe në datën 15 shtator SPAK ka kthyer këtë përgjigje ndaj një kërkese: "Në përgjigje të kërkesës suaj, e protokolluar më 2.9.2025, ju informojmë si vijon: Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve, bazuar në pikën 6 të Nenit 6 (Ligji 95/2016), ka marrë dokumentacionin dhe ka nisur verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve.”
Pra, në mënyrë zyrtare SPAK njofton se që në fillim të shtatorit i ka pasur dokumentet dhe ka nisur verifikimet. Ndërkohë, pas 1 muaji del një lajm se është mbledhur komisioni dhe ka nisur verifikimet. Pra, shtrohet pyetja: kur ka nisur realisht vetingu i figurës dhe pasurisë për 7 kandidatët?
Ajo që e bën edhe më të rëndë është se sot është data 25 tetor dhe nuk ka asnjë të dhënë mbi këtë proces, ndërkohë që vetë SPAK në shtator ka pranuar se ata i kanë pasur dokumentet dhe kanë nisur punën.
Ajo që e bën më të rëndë është se 7 kandidatët finalë janë përcaktuar që në fund të muajit qershor. Pra, kanë kaluar mbi 4 muaj dhe akoma nuk ka përfunduar vetingu, ndërkohë që më pas do të bëhet përzgjedhja e emrit që duhet të shkojë në KLP dhe në fund do të jetë kjo e fundit që do të bëjë emërimin.
Nën rrogoz flitet se ka përplasje të forta mes 3 anëtarëve të komisionit që u morën me procesin e zgjedhjes së kreut të BKH, dhe kjo solli shkarkimin e Arben Krajës si drejtues i Marrëdhënieve me Jashtë. Ndërkohë, aktualisht BKH drejtohet nga nënkryetari, Joni Keta, i cili garon edhe për kryetar.
Kreu i SPAK dhe nënkryetari i BKH kanë raporte të mira mes tyre dhe, si duket, këto muaj Dumani nuk do pengesë nëpër këmbë, pasi deri më tani Hajnaj nuk e ka lejuar të bëjë ç’të dojë. Po ashtu, flitet se Dumani po tenton të vendosë aty një të besuarin e tij dhe nuk ka siguruar akoma votat. Po ashtu, gojët e liga flasin se ka hyrë në mes politika. Sido që të jetë, faktet dëshmojnë se diçka e pistë po luhet. /Pamfleti
Perplasje interesash ka ngado. Cfarë është "e pisët" nuk merret vesh në raportimin tuaj