Dallëndyshe Bici është larguar nga drejtimi i Agencisë Shteterore të Kadastrës dhe është emëruar kryeinspektore e IKMT-së.
Vendin e lënë bosh nga Ervin Hoxha, që mbante postin e drejtorit të IKMT-së, dhe tashmë do të jetë ministër i brendshëm do ta zëjë Dallëndyshe Bici.

Kjo drejtori e rëndësishme i është besuar Bicit, e cila rikthehet në këtë institucion që e ka drejtuar prej disa vitesh, ndërkohë që për rreth 15 muaj ishte në krye të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës.
Ndërkohë në krye të Kadastrës tani është emëruar Lorena Goxhobelli.
Goxhebelli vjen nga Ministria e Mbrojtjes, ku shërbente si këshilltare e jashtme ligjore për pronësinë në kabinetin e ministrit që prej qershorit 2022.
Ajo ka një eksperiencë të gjatë në fushën e drejtësisë duke u fokusuar kryesisht në çështjet e pronësisë, administrimit të tokës, kontratave publiko-private për administrimin e pronës shtetërore etj.
Sipas CV-së së saj të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, Lorena Goxhobelli është diplomuar në vitin 2006 në Universitetin e Tiranës dhe ka përfunduar studimet master në Ekonomik, me fokus Administratën Publike, në periudhën 2009 – 2011.
Ajo ka qenë pjesë e Administratës Publike në vitet 2007-2009, në Drejtorinë Juridike dhe në Drejtorinë e Licencave dhe Menaxhimit të Kontratave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Goxhobelli ka përvojë akademike, fillimisht si asistente pedagoge dhe më pas si pedagoge e të Drejtës Ndërkombëtare Publike, të Drejtës Familjare dhe të Drejtës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në institucionet publike dhe private të arsimit të lartë.
Aktualisht ajo mban pozicionin e drejtoreshës së Divizionit Ligjor në Korporatën Shqiptare të Investimeve.
Ajo është anëtare e Dhomës Kombëtare të Avokatëve që nga viti 2006.
Lini një Përgjigje