Blendi Fevziu është një nga njerëzit që nuk ngurron të shpalosë përditshmërinë, udhëtimet e tij përmes postimeve apo edhe në intervista, por në jetën personale është treguar më i rezervuar. Herë pas here, në rrjetet e tij sociale shfaqet ndonjë moment i bukur familjar me vajzat apo ndonjë histori e shkurtër që rrëfen gjatë mbrëmjeve në “Opinion” në Tv Klan që kalon rrëmbimthi në ritmin e emisionit.
Në intervistën e tij të fundit përballë Arbana Osmanit, Fevziu ndan një rrëfim të panjohur më parë. Ai tregon pak nga historia e tij shumëvjeçare e dashurisë, e cila ka qenë gjithnjë larg vëmendjes e kamerave.
Gazetari zbulon dhuratën më të shtrenjtë që i ka bërë bashkëshortes: puthja e parë duke u thelluar më pas te njohja e tyre.
Arbana Osmani: Dhurata më e shtrenjtë që i ke bërë gruas?
Blendi Fevziu: Puthja e parë.
Arbana Osmani: E pse e shtrenjtë? Kur ka qenë?
Blendi Fevziu: Në 1998.
Arbana Osmani: Në çfarë vendi?
Blendi Fevziu: Ka qenë në makinën time.
Arbana Osmani: Si jeni njohur ju të dy?
Blendi Fevziu: Është histori interesante. Unë e kam njohur, ajo ishte shoqe me një këngëtare të re në atë kohë që unë e njihja, erdhi te Parku “Rinia” ku rrinim ne, unë e njoha aty nja dy-tre ditë, pastaj e kisha humbur, edhe e pashë një ditë në rrugë në Tiranë, në Tiranën e ’97-ës dhe thashë kush është kjo? Pastaj më thanë “është filania, ti e njeh, ka qenë shoqe e filanes” se Tirana aq ishte atëherë dhe doja, nuk kisha si se në atë kohë ishte koha që i ndaloje femrat me “më fal një minutë”, por ajo “më fal një minutë” nuk funksiononte. Ndërkohë unë kisha filluar emisionin, ajo “më fal një minutë” nuk ecte kështu që gjeta një grua që punonte me të me të cilën kisha qenë me një grup që udhëtuam në Rusi dhe i them të lutem, ma thirr një çikë atë gocën për kafe, “po”, më tha, “ta thërras unë, por dua këpucët po funksionoi”, e di ti që s’ia kam blerë këpucët akoma?
Arbana Osmani: E ke bërë ti hapin e parë me pak fjalë.
Blendi Fevziu: Po.
Arbana Osmani: Po ajo ra në dashuri menjëherë, t’u desh kohë ta bëje për vete?
Blendi Fevziu: Jo, jo.
Ndryshe prej tij, Fevziu shtoi se bashkëshortja është person shumë i rezervuar që nuk i pëlqen protagonizmi. Më tej, ai zbuloi edhe dhuratën më të keqe që i ka bërë. Gazetari kthehet pas në kohë, në vitin 1999 kur ai dhe një grup miqsh shkuan për herë të parë në Greqi për të kaluar Vitin e Ri.
Blendi Fevziu: Unë do të rrija një ditë më shumë se duhet të merrja vizën amerikane, ambasada amerikane në Tiranë ishte e mbyllur atëherë, duhet ta merrja në Athinë. Unë kisha gjithsej, po them kursime, nja 300 dollarë pasi kishin mbaruar edhe ato që kishim mbaruar Vitin e Ri e të gjitha dhe pashë një dyqan syzesh. Thashë t’i blej një palë syze, syzet bënin më duket nja 180 dollarë, pra ishin gjysma e kursimeve që unë kisha mënjanë dhe shkova aty, i them kësaj shitëses dua një palë syze, vëri një herë ti si duken se ku kuptoja, i mora një palë Armani, e mbaj mend si tani edhe shkova në Tiranë, u ktheva gjithë qejf, tha “ku i vë unë këto syze?” Që atëherë i thashë nuk të sjell më dhuratë.
Lini një Përgjigje