
Banorët e fshatit Tragjas në Vlorë kanë dalë sërish në protestë këtë të shtunë, duke kundërshtuar grabitjen e ujit.
Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve ka nisur punimet për të marrë ujin e Tragjasit dhe përmes një ujësjellësi ta dërgojë në resortet e bregdetit të Dhërmiut.
Punimet për këtë projekt kanë nisur, por komuniteti nuk është informuar për asnjë detaj të tij. Banorët shprehen se nuk ka pasur as tabela informuese dhe as mbledhje konsultative për të diskutuar me ta këtë zhvillim.
“Unë kam ardhur nga Çikago sapo pashë lajmin se policia po sulmon bashkëfshatarët e mi. Jam shumë e prekur se jam rritur këtu. Nëse na marrin ujin e Izvorit, ne jemi të vdekur, fshati Tragjas është i vdekur. Nuk lejojmë që ujin në na e marrin oligarkët”, tha Sulltana Ferhati.
Avokatja e banorëve Suela Konxhoni tha se po mblidhen dokumente në çdo zyrë dhe po përgatitet padia për 4 institucione; Bashkia e Vlorës, e Himarës, Agjencia e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Baseni Ujor i Vlorës.
“Nga pikëpamja ligjore, çfarë dokumentesh ka një institucion nuk i ka një tjetër, ndaj ne dyshojmë se janë kryer një sërë shkeljesh. Aktualisht jemi duke hetuar nga ana administrative dhe së shpejti do i drejtohemi Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Lushnje. Do te padisim Bashkinë Himarë, Bashkinë Vlore, Agjencinë e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Basenin Ujor, në varësi të Prefekturës”, tha avokatja e kontraktuar nga banorët.
Ekspertët e pavarur të angazhuar nga banorët kanë kryer matje në burimin e Izvorit, të cilat tregojnë se sasia e ujit është shumë më e pakët se sa përshkruhet në projektin e ujësjellësit. Të gjitha këto prova e fakte do t’i vendosen në dispozicion prokurorisë.
“Ne kemi bërë matje dhe rezulton se në Mars prurjet në burim janë 940 metër/kub dhe jo 2000 metër/kub sa thuhet në raportin e projektuesit. Kjo do të thotë se ujësjellësi mund të thajë burimin dhe dëmton ekosistemin”, tha avokatja.
Lini një Përgjigje