
Arrestimi i Ilir Metës ishte një nga pyetjet që iu drejtua kreut të SPAK, Altin Dumani, gjatë seancës në Kuvendin e Shqipërisë.
Më konkretisht, deputeti Tedi Blushi e pyeti Dumanin pse SPAK e shmangu BKH dhe i la dorë të lirë policisë, në rastin e arrestimit të presidentit të PL-së Ilir Meta.
Dumani në përgjigjen e tij tha se ekzekutimi i masave është përgjegjësi e Policisë së Shtetit.
“Policia e Shtetit, është përgjegjëse për ekzekutimin e masave të sigurimit. E thashë edhe në përgjigje të pyetjeve të mëparshme nga disa deputetë’, tha Dumani.
Ndërsa sa i përket kalimit të dosjes së arrestimit të Metës nga SPAK tek Prokuroria e Tiranës, Dumani tha se kjo dosje është kompetencë e Prokurorisë së Përgjithshme.
“Është kompetencë e Prokurorisë së Përgjithshme. Është taksative dhe e qartë që nuk mund ta hetojmë ne atë vepër penale, por edhe subjektet e veprës penale nuk janë në kompetencë të SPAK’, u shpreh ai.
Mënyra se si u arrestua ish-Presidenti Ilir Meta ka shkaktuar debate të forta, ndërsa ai u nxorr forcërisht nga automjeti me të cilin po udhëtonte. Lidhur me mënyrën se si është arrestuar Meta, rreth 3 javë pasi Ilir Proda mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka pasur reagime edhe nga Avokati i Popullit, që kreu një hetim lidhur me zbatimin e kompetencave nga Policia.
Lini një Përgjigje