TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 2 Korrik 2023, 16:19

Aksioni në kampin e MEK, paralajmëron Teherani: Kemi nisur gjuetinë ndaj muxhahedinëve!

Shkruar nga Pamfleti
Aksioni në kampin e MEK, paralajmëron Teherani: Kemi nisur
Aksioni i policisë në kampin e MEK

Ministria e Inteligjencës e Iranit ka dalë sot me një deklaratë ku ka përshëndetur aksionin e zhvilluar në kampin e MEK, por ka dhënë edhe paralajmërime...

Aksioni i policisë në kampin e muxhahedinëve në Manëz ka entuziazmuar Teheranin. Shërbimet iraniane janë hedhur në sulm, teksa kanë rifilluar me kërcënimet dhe akuzat ndaj MEK.

Ministria e Inteligjencës e Iranit ka dalë sot me një deklaratë ku së pari ka përshëndetur aksionin e zhvilluar në kampin e  MEK. Nga ana tjetër ka lëshuar kërcënimin se Teherani ka nisur gjuetinë ndaj muxhahedinëve.

Në deklaratë, Ministria iraniane e Inteligjencës rendit operacionet më të fundit që forcat e saj kanë kryer kundër elementëve të MEK. Teherani shprehet se “një seri sponsorësh famëkeq të terrorizmit në Evropë dhe SHBA, po kërkojnë t'i japin frymëmarrje artificiale dhe të ringjallin kultin terrorist MEK."

Më tej ka dhe një paralajmërim, duke e bërë të qartë se Republika Islamike e Iranit ka futur në agjendën e saj gjuetinë e ‘terroristëve’ jashtë kufijve.

“Do të vazhdojmë me përpjekjet e palodhura për të çrrënjosur plotësisht terroristët që kryejnë akte sabotimi kundër Iranit me mbështetjen e armiqve të Iranit”, thekson deklarata.

Ministria e Inteligjencës tha se Irani, në ndërveprimet me shërbimet e inteligjencës evropiane, ka dhënë disa paralajmërime për aktivitetet terroriste të elementëve të MEK nga brenda vendeve Perëndimore, veçanërisht nga kampi i tyre qendror në Shqipëri.

Policia shqiptare më 20 qershor bastisi kampin e MEK në Manzë dhe sekuestroi dhjetëra kompjuterë. Grupi dyshohet se ka orkestruar sulme kibernetike kundër institucioneve të huaja.

36 persona, përfshirë oficerë policie dhe anëtarë të MEK, u plagosën dhe disa makina policie u dëmtuan gjatë bastisjes në kampin Ashraf 3. Përfaqësuesit e MEK-ut pretenduan se një i moshuar vdiq si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia, por autoritetet shqiptare mohuan përgjegjësinë.

Policia tha se operacioni u krye me urdhër të SPAK, pas "shkeljes së marrëveshjeve dhe angazhimeve" të bëra nga grupi kur ata u vendosën në Shqipëri një dekadë më parë.

Operacioni i policisë ngjalli shumë dyshime. SHBA e mbështeti aksionin, ndërsa ka pasur dhe kërcënime se ata mund të largohen. Irani duket se këtë po priste dhe tani janë vënë në lëvizje. /Pamfleti

irani mek muxhahedine

Lini një Përgjigje