
Analisti Ben Andoni ka deklaruar se nuk i takonte kryeministrit Rama të mblidhte njerëzit e bashkisë, duke theksuar se grumbullime të tilla e prishin demokracinë. Andoni thekson që fjalimi i djeshëm para punonjësve të bashkisë ishte një tregues force nga Rama. Sipas analistit Rama po përdor elementë, që “edhe duket sikur e mbron Veliajn, dhe duket sikur është pranë SPAK-ut”.
“Personalisht më duket pak e lodhshme në këtë situatë tensioni që është Tirana të ushtrosh takime të tilla. Kjo bëhet përmes qarkoreve, por s’i takon Ramës të mbledhë njerëzit e bashkisë. Mesazhet që dha ishin më shumë për të treguar punët e socialistëve dhe mbarëvajtjen e Tiranës nën pushtetin e socialistëve.
Mënyra si përdoret publiku te ne ka ardhur koha të marrë fund. Nëse do kishte një sindikatë në bashki s’do t’i lejonte punëtorët të grumbulloheshin. Këto grumbullime më shumë e prishin demokracinë se sa e shëndoshin demokracinë. Është e njëjta fizionomi pushteti edhe te Berisha, por mundësitë janë të limituara, pasi PD ka 12 vite në opozitë.
Këtë lloj bindje s’e gjen prej kohësh në Europën demokratike. Edhe në komunizëm ka patur individë që me qëndrime të veçanta kanë treguar si mund të përballesh me diktatin. Këshilli Bashkiak duhet të kishte një zë për të treguar që kryeministri i vendit duhet t’i qëndronte pak larg pushtetit lokal. Pushteti lokal ka njerëzit e vet të zgjedhur.
Në Bashkinë e Tiranës është pushteti më i madh që socialistët kanë në organizimet në bazë, Rama do të tregojë që s’ka humbur ky vakum, dhe pesha e socialistëve dhe afërsia e tij me pushtetin s’do mungojë. Por bashkia detyrën kryesore ka t’u përgjigjet problematikave dhe jo të jetë kaq e bindur ndaj pushtetit politik.
Nëpërmjet strukturave të Bashkisë së Tiranës, ky është edhe një tregues force i Ramës, pasi Rama është mjeshtër i formës, tregohet që gjithë ky ekuipazh mbron punën e Tiranës, dhe qenësia e Ramës është qenësia e asaj që pushteti do vazhdojë, s’kemi humbur. U tha njerëzve të Veliajt që ishte tepëruar akti te SPAK-u sepse kjo i barazon me PD-në dhe relativizon peshën e fjalimeve të Ramës”, tha Andoni në “MCN”.
I pyetur a po e mbron apo jo Rama-Veliajn, Andoni thotë:
“Veliaj është në momentin më të vështirë të jetës së tij. Z.Veliaj duhet të tregonte kujdes për ekipin e mbrojtjes, sepse besoj që goditja që po u bëhet prokurorëve, s’besoj se do kalojë kaq lehtë. Ata do kenë argumente të tjera që s’i kanë shfaqur për publikun. Rama përdor këto elementë, që edhe duket sikur e mbron Veliajn, dhe duket sikur është pranë SPAK-ut. Shqetësuese në mendimin tim është pas zgjedhjeve të 11 majit, me pjesën e asistencës që do bëjë për zgjedhjet, do ketë më zë apo jo, kjo është dilema e madhe për publikun, sepse është institucioni i vetëm që po mban gjallë shpresat e shqiptarëve”.
Lini një Përgjigje