
“Ça ka lidhje puna ime, o nanë? Ajo puna ime që për me ashtu… po ata na kishin piketuar… do vinin e do të vrisnin...”
Ky fragment përgjimi, ku dëgjohet zyrtarja e Komisionit të Prokurimit Publik, Lindita Skeja, gjatë një bisede me nënën e saj, është publikuar nga mediat dhe nxjerr në dritë një histori të rëndë që ka kaluar në heshtje për gati pesë vjet.
Bëhet fjalë për një grabitje spektakolare të ndodhur në vitin 2020 në banesën e vëllait të saj, Gëzim Skeja, në fshatin Dorëz të Librazhdit, ku u morën rreth 200 mijë euro dhe sasi të konsiderueshme paundësh. Ngjarja u zbuluar krejt rastësisht nga SPAK, gjatë përgjimeve të dosjes që çoi në hetimin dhe marrjen të pandehur të kreut të KPP-së, Jonaid Myzyri, për manipulime tenderash dhe shkelje të barazisë në garat publike.
SPAK ka veçuar grabitjen si një çështje më vete dhe ka hapur një procedim penal për të hetuar burimin e parave që ndodheshin në shtëpinë e familjes Skeja. Në dëshminë e saj, Lindita Skeja ka pretenduar se paratë ishin kursime të vëllezërve të saj, të ardhur nga puna në Angli. Por SPAK nuk është bindur; hetuesit dyshojnë fort se bëhet fjalë për para të përfituara përmes korrupsionit, duke qenë se zyrtarja ka pasur akses në prokurimet më të mëdha publike.
Sipas dëshmisë, katër persona të armatosur, të maskuar dhe të veshur me uniforma policie, kanë hyrë në banesën ku ndodheshin ajo, nëna, vëllai dhe tre fëmijët. Njëri prej tyre i ka vendosur armën në kokë, ndërsa të tjerët kanë kontrolluar banesën dhe kanë marrë peng vëllain, duke e lënë më pas në fshatin Labinot të Elbasanit – për të fituar kohë dhe për të siguruar largimin pa u ndjekur nga policia.
Sot, pesë vite më pas, dosja është ende pa autorë. Edhe pse SPAK ka kërkuar dosjen nga Prokuroria e Elbasanit, ajo rezulton të jetë “ngujuar” në sirtarët e Policisë së Shtetit. Nuk dihet nëse kjo është neglizhencë, paaftësi apo mbulim i qëllimshëm.
Lini një Përgjigje