
Juventusi është kthyer sot në stërvitje për përgatitjet e sezonit të ri. Por faza përgatitore ka nisur me probleme për klubin italian.
Douglas Luiz, mesfushori brazilian i bardhezinjve, nuk është paraqitur në seancën e sotme, duke treguar hapur tashmë se nuk ka më ndërmend të jetë pjesë e klubit bardhezi. Një mungesë e cila ka acaruar drejtuesit, të cilët kanë bërë gati masat disiplinore ndaj tij për këtë bojkot të pamenduar.
Douglas Luiz ka qenë një nga dështimet më të mëdha të merkatos së vitit të kaluar të Juventusit. Ai kushtoi 51,5 milionë euro, por në fushën e lojës ishte vetëm kopja e shëmtuar e futbollistit që kishte shkëlqyer tek Aston Vila, pasi nuk u shfaq kurrë vendimtar. Prej javësh kanë qarkulluar zëra për dëshirën e Juventusit që ta largonte përsëri, por klubi bardhezi kërkon të paktën 40 milionë euro për lojtarin. Vendimi i tij për të bojkotuar stërvitjen, nuk duket se do të qetësojë situatën.
Lini një Përgjigje