
Shqipëria siguroi kualifikimin në Euro 2024 një ndeshje para përfundimit të eliminatoreve. Fatin tonë e kanë pasur edhe disa kombëtare të tjera.
Gjermania është e sigurt pasi është vendi pritës i Euro 2024. Të tjera skuadra janë Austria, Belgjika, Danimarka, Anglia, Franca, Hungaria, Portugalia, Skocia, Sllovakia, Spanja dhe Turqia.
Shqipëria për kualifikim në Europianin e vitit 2024, e cila do të mbahet në Gjermani i mjaftoi barazimi në Moldavi.
I duhej vetëm një pikë, dhe atë e mori në Kishinau në ndeshjen ndaj Moldavisë. Kombëtarja e mori pikën që i nevojitej falë barazimit me rezultatin 1-1 dhe siguruan për të dytën herë në histori, pjesëmarrjen në finalet e një kampionati europian.
Kuqezinjtë rezervuan kështu vendin e tyre në mesin e kombëtareve pjesëmarrëse në Gjermani verën e vitit 2024.
Sa i takon ndeshjes, moldavët dhanë shkëndijën e parë në minutën e 16-të me Nicolaescun, por Berisha priti mjaft mirë në pozicion.
Tetë minuta më pas erdhi edhe momenti vendimtar për kuqezinjtë, me Taulant Seferin që fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë u paraqit Sokol Cikalleshi që nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetë. Sakaq, katër minuta nga fundi, Bajrami tentoi nga distanca por portieri moldav priti në dy kohë.
Fraksioni i dytë nisi me një goditje të Seferit nga distanca, por sulmuesi nuk e gjeti kuadratin. Nga ana tjetër, Nicolaescu provoi një goditje të fortë, por Etrit Berisha priti mjaft mirë dhe largoi topin në këndore.
Në minutat që pasuan, një mundësi e mirë u shfaq për Dakun dhe më pas për Asanin që tentoi nga një goditje dënimi. Megjithatë, në fund, moldavët barazuan me Baboglo, por që nuk prishën festën e Shqipërisë, e cila mori pikën që i duhej për t’u kualifikuar në Euro 2024.
Festa e kuqezinjve shpërtheu në Moldavi, por edhe në vendin tonë, për ngjarjen që ngriti peshë zemrat e shqiptarëve.
Lini një Përgjigje