TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Tetor 2025, 20:18

“Natë historike, s’e harroj ndeshjen në Beograd”, ish-sulmuesi kuqezi kujton dronin: Në Serbi shkuam për futboll, ndodhi ajo që ndodhi

Shkruar nga Pamfleti

“Natë historike, s’e harroj ndeshjen në Beograd”,

Valdet Rama ka qenë padyshim një nga futbollistët më teknikë që ka pasur Shqipëria në vitet e fundit.

Ish-sulmuesi i Kombëtares, luajti edhe në kampionatin shqiptar me Kukësin, duke treguar një nivel të jashtëzakonshëm ndërkohë që në një intervistë për “Panorama Sport”, ai tregon arsyet se pse iku nga Shqipëria, teksa flet edhe për Kombëtaren.

15 ndeshje me Kombëtaren dhe 3 gola…

Po kam shënuar dhe kam thënë çdo herë që ka qenë një kënaqësi shumë e madhe të luaja me kuqezinjtë. Normalisht për çdo futbollist është një ëndërr që të luajë me ngjyrat kuqezi.

Sa ka ndryshuar Shqipëria, me skuadrën kur ju ishit pjesë?

Pak vështirë të them kualitetin atëherë me sot. Atëherë kishim lojtarë shumë të mirë me kualitet të lartë, por Shqipëria po zhvillohet si skuadër dhe si ekip. Kanë ardhur lojtarë të mirë dhe e kam të vështirë të bëj krahasim, kështu që i uroj të gjitha të mirat.

Pas pak ditësh, luhet Serbi-Shqipëri. Si e parashikon?

Është ndeshje e vështirë por e kemi parë edhe në ndeshjen e parë që e kemi kualitetin për të fituar ndeshjen. Besoj dhe shpresoj që edhe këtë ndeshje do të marrim një rezultat në favorin tonë.

Ti ishe në Beograd në tetorin e 2014-ës. Si e kujton atë moment?

Po, kam qenë atëherë në Beograd, në një ndeshje historike, në një ndeshje që nuk do ta harroj kurrë. Po luanim mirë të them të drejtën, por natyrisht mbrojtëm ngjyrat kuqezi.

A mendon se do të ketë sërish trazira?

Edhe atë kohë, ne shkuam të luajmë futboll por ndodhi ajo që ndodhi. Shpresoj që të mos ndodhin më të njëjtat gjëra dhe të luhen ndeshje pa problem. Shpresoj të ketë qetësi nga të dyja anët.

A mendon se Shqipëria i ka shanset për të shkuar në Botëror?

Janë ndeshje vendimtare tani për të parë nëse shkojmë ose jo. Anglia ka ekip “top” dhe shkon direkt normalisht. Do shpresoj që të jenë të suksesshme këto ndeshje për ne dhe të arrijmë të kualifikohemi në Botëror, e gjithashtu të njëjtën gjë shpresoj dhe uroj edhe për Kosovën.

Në sezonin 2018-2019, luajte në Superiore për herë të parë….

Në janar erdha te Kukësi dhe luajta 7 muaj. Kam qenë pa ekip dhe më duhej kohë të merrja veten e kisha dëshirë të shkoja diku ku mund të kthehesha në formë. Kukësi atëherë ishte në Superiore. Fitova Kupën dhe luajtëm për kualifikueset e Ligës së Europës.

Pas largimit nga Kukësi, kishit oferta të shumta por kurrë nuk u rikthyet. A ishte zhgënjim Superiorja apo çfarë ndodhi?

Kisha oferta në Shqipëri por edhe jashtë Shqipërisë, por të them të vërtetën kisha planifikuar që të rrija në Shqipëri për një kohë të shkurtër. Jam kthyer në Gjermani për shkak të familjes edhe pse kisha oferta jashtë vendit. Asokohe ishte i sëmurë edhe babai im prandaj ishte një vendim që të luaja në Gjermani pranë familjes.

valdet rama ish-sulmuesi i kombëtares ndeshja me serbinë

Lini një Përgjigje