
Klubi i Lacios ka marrë vendimin sa i përket të ardhmes së Arijon Ibrahimoviç. Sulmuesi shqiptar do t’i japë lamtumirën bardhekaltërve, pasi nuk ia ka dalë të gjejë hapësirat te skuadra italiane, ku ishte huazuar nga Bajerni i Mynihut.
Në marrëveshjen mes ekipeve ishte edhe një klauzolë për transferimin e tij përfundimtar te Lacio, por klubi italian ka vendosur të mos e aktivizojë atë për lojtarin e datëlindjes 2005 që monitorohet edhe nga FSHF. Sipas “Il Messaggero”, ai përfundon huazimin më 30 qershor dhe do të kthehet të jetë pjesë e Bajernit të Mynihut.
Por edhe atje, Ibrahimoviç nuk do të qendrojë nën urdhrat e Vinsent Kompani, pasi pritet që të huazohet përsëri në një tjetër klub. Ai kërkohet me ngulm nga një emër i njohur i futbollit botëror, Miroslav Klose, i cili është në drejtimin e Nyrenbergut.
Ish-sulmuesi i cili mban rekordin e numrit më të madh të golave të shënuar në Kupat e Botës, 16 të tillë, drejton Nyrenbergun me të cilin shpreson që këtë vit të kthehet në pretendent për ngjitjen në Bundesligë. Ai ka piketuar Ibrahimoviç si një prej përforcimeve të mundshme dhe pritet të finalizojë huazimin nga Bajerni me të drejtë transferimi përfundimtar për sulmuesin shqiptar.
Lini një Përgjigje