
Trajneri Ernest Gjoka ka komentuar kombëtaren shqiptare në ndeshjet që kuqezinjtë do të luajnë në “EURO 2024”. Tekniku i njohur shqiptar thotë se kuqezinjve i duhen tre elementë për të përballuar cilësinë e Spanjës, Kroacisë dhe Italisë në “Grupin e Ferrit” në “EURO 2024”.
Në emisionin “Real Story”, Gjoka u shpreh se kombëtarja duhet të ketë agresivitet, të jetë e përgatitur nga ana mentale dhe me disiplinë të hekurt taktike.
“Ne do luajmë kundrejt disa skuadrave që janë shumë më të mira në cilësi, që ne të përballojmë cilësinë, apo të afrohemi te cilësia e tyre, ne duhet të kemi një lloj agresiviteti të jashtëzakonshëm, kjo vjen nga përgatitja fizike. Nga ana mentale, duhet të jesh i përgatitur shumë më mirë se kundërshtari, duhet të jemi me disiplinë të hekurt taktike.
Këto janë elementët që ne mund të afrohemi me cilësinë e Italisë, Spanjës dhe Kroacisë. Kjo është baza. Ky është boshti i një skuadre modeste për të përballuar elitën e fubollit evropian. Nuk kemi cilësinë e Spanjës, Kroacisë dhe Italisë. Duhet të jemi koshient. Futbolli modern, një skuadër që do të luajë në sulm, një skuadër që do të luajnë në mbrojtje. Silvinjo dhe stafi i vet i dinë shumë mirë disa gjëra”, u shpreh Ernest Gjoka.
Lini një Përgjigje