
Një person ka humbur jetën pas të shtënave me armë zjarri në Prishtinë dhe një tjetër është plagosur.
Rreth orës 22:30 të martën Policia e Kosovës ka marrë informacion për të shtëna me armë zjarri ku dy persona mbetën të plagosur dhe u dërguan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Njëri nga të plagosurit ndërroi jetë pasi nuk mund t'i mbijetonte plagëve të marra.
Ndërkohë është i identifikuar i dyshuari por vijon të jetë në arrati.
"Rreth orës 22:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, ku dyshohet të jenë lënduar dy persona të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Aktualisht hetuesit policor janë duke ndërmarr të gjitha masat e nevojshme në lidhje me rastin dhe janë në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ndërkohë, është identifikuar personi që humbi jetën. Ai është Naser Gashi 62 vjeç, i cili dyshohet se u qëllua me armë, por kishte edhe një therje me thikë në gjoks.
Ndërsa i plagosuri tjetër që ndodhet në spital është Miftar Miftari, 41 vjeç. Autor i vrasjes dhe plagosjes dyshohet se është Alban Gashi.
Lini një Përgjigje