Djali i deputetit Luçiano Boçi ka mbetur i plagosur në kokë gjatë incidenteve në mitingun elektoral të PD në Elbasan.
Konfirmohet se Parid Boçi ndodhet në Spitalin Rajonal te Elbasanit për mjekim.
Mësohet se i ka një çarje në kokë, por pa pasoja serioze.Policia e Elbasanit po kryen veprimet proceduriale dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Nga informacionet e deritanishme incidenti ka ndodhur për shkaqe banale mes militanteve të PD gjatë mitingut përmbyllës.
Policia e Elbasanit nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare për incidentin, ndërsa në pamjet e publikuara shihet se përplasja ka ndodhur mes një grupi djemsh të cilët gjuajnë njëri-tjetrin.
Për incidentin ka reaguar edhe dega e Partisë Demokratike në Elbasan përmes një postimi në Facebook.
'Në lidhje me incidentin e ndodhur sot gjatë mitingut përmbyllës të Partisë Demokratike në Elbasan, Partia Demokratike Dega Elbasan dëshiron të sqaroj opinionin publik se bëhet fjalë për një konflikt të natyrës krejtësisht banale mes disa të rinjve, pa asnjë lidhje me përplasjen e grupeve mbështetëse të kandidatëve apo me organizimin e Partisë Demokratike.
Fatkeqësisht, ky episod i izoluar u përdor me shpejtësi nga qarqe të afërta me mazhorancën për ta politizuar dhe për të njollosur suksesin e këtij takimi madhështor,ku qytetarët e Elbasanit treguan mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme për Prof. Dr. Sali Berishën dhe Partinë Demokratike.
Partia Demokratike Elbasan u bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos ndikohen nga manipulime të tilla keqdashëse dhe të mbeten të fokusuar tek qëllimi ynë i përbashkët: fitorja e vlerave demokratike dhe ndryshimi që Elbasani dhe Shqipëria meritojnë.', thuhet në njoftim.
Lini një Përgjigje