TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Janar 2024, 11:58

Pse ky delir i shfrenuar për “kryeministrin e parë shqiptar” në Shkup?

Shkruar nga Pamfleti

 

Pse ky delir i shfrenuar për “kryeministrin e parë
Telat Xhaferri dhe Ali Ahmeti /

E gjithë kjo zhurmë bëhet për një arsye të vetme; për t’i dhënë tam-tamet e mëdha, “Babës” nga Zajazi, Ali Ahmetit, që të fitojë sa më shumë pikë në zgjedhjet e majit...

Publiku shqiptar, sidomos jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut, nuk arriti dot të përthithë ftohtë dhe në mënyrë reflektive emërimin e të parit kryeministër shqiptar në Shkup, Telat Xhaferit.

Kjo sepse, thuajse menjëherë, apo pa ndodhur ende lajmi, nisi një delir i shfrenuar nga një aradhë politikanësh e gazetarësh në Tiranë e Prishtinë, që bënë aq zhurmë sa s’pati mundësi për analizë.

Kuptohet, e gjitha kjo zhurmë bëhet për një arsye të vetme; për t’i dhënë tam-tamet sa më të mëdha, “Babës” nga Zajazi, Ali Ahmetit, që të fitojë sa më shumë pikë në zgjedhjet e majit.

Ku ai synon të fitojë sërish mazhorancën e votës së shqiptarëve, pas 20 vjetëve, duke mbetur si shqiptari më jetëgjatë në pushtet.

Mbështetja që po i bëjnë pushtetet e forta të Tiranës e Prishtinës “Abas Gjukës” siç e ka nofkën “Baba” i BDI-së është legjitime, edhe pse mjaft e shtirur, por pikërisht ekzagjerimi fsheh në realitet se kemi të bëjmë me një ngjarje që nuk e meriton të gjithë këtë zhurmë.

Talat Xhaferi, është vërtetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, por është kryeministër i një qeverie teknike, që do të zgjasë deri në maj, maksimumi në qershor.

Në fakt teknik është me fjalë, pasi zoti Xhaferi është një kryeministër politik, për sa më shumë vota për partinë e tij që nuk bie nga pushteti prej vitit 2006.

Nuk duhet anashkaluar me të drejtë fakti që Maqedonia e Veriut ka për herë të parë një kryeministër shqiptar, e ky fakt pritej pasi ishte në marrëveshjen që BDI ka firmosur me LSDM-në pas zgjedhjeve të fundit. Pasi teza e kryeministrit shqiptar ka qenë edhe arma kryesore elektorale e Ali Ahmetit në zgjedhjet e shkuara.

Por fakt është se kjo lëvizje, mund të jetë edhe një boomerang politik, apo një akt kamikaz, për të bërë që maqedonasit të mobilizohen edhe më shumë në urrejtjen ndaj shqiptarëve. Në fakt ky është qëllimi i Ali Ahmetit, që ta kthejë fushatën në një duel etnik me VRMO-DPMNE-në e t’i japë partive të opozitës shqiptare atje, njollën e tradhëtarëve që po kundërshtojnë kryeministrin shqiptar.

Por vetëm kjo, pasi realisht Talat Xhaferi nuk ka ardhur si një kryeministër shqiptar, por si një kuadër i BDI-së. Kemi pasur një rast të ngjashëm, ku një shqiptar i Ulqinit, Dritan Abazoviç u bë për 3 vjet kryeministër i Malit të Zi, vetëm si pasojë e fuqisë politike të tij. E sot Mali i Zi, edhe falë asaj politike ka më shumë shqiptarë në institucione.

Propaganda që po bëhet sot nga Tirana e Prishtina pro Ali Ahmetit është më shumë se e sfrocuar. Është e panevojshme. Nëse Ali Ahmeti humb zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, ka një opozitë shqiptare, që e kundërshton në thelbin e tij, e ajo do të vijë në pushtet me të njëjtat armë etnike. Pyetja do të ishte a e kanë shqiptarët kryeministrin e duhur që i ka dhënë një shtysë, jo vetëm në logjikën etnike, por edhe në përbashkimin me maqedonasit. Siç bëri Dritan Abazoviçi në Mal të Zi, i cili nuk varej nga votat e shqiptarëve, por nuk mori asnjë mallkim sepse është shqiptar. Përkundrazi ja morën si pasuri. Se në fund të fundit, përpara se të jetë shqiptar, Xhaferi është nje njeri dhe qytetar i vendit të vet. Megjithatë ka një tezë që Talati e theu akullin, akullin e një kryeministri shqiptar. Por vetëm kaq, për të tjerat duhet të presim, e jo të fantazojmë./Pamfleti

delir i shfrenuar kryeministri i parë shqiptar shkup

Lini një Përgjigje