
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u paraqit sot në SPAK ku zbatoi masën e sigurisë “Detyrim paraqitjeje”. Pas daljes nga ambientet e SPAK, ajo u tha gazetarëve se do i tregojë të gjitha të vërtetat e saj.
Kryemadhi shtoi se ka evidentuar një sërë shkeljesh ligjore nga organi akuzës.
“Unë jam një individ dhe politikane që vendos të përballem madhe me padrejtësitë që bëhen. Po bëj mbrojtjen time ligjore, kam konstatuar një sërë shkeljesh ligjore të akuzës. Këto do të kundërshtohen me fakte që do të vërtetojë të kundërtën e asaj që shkruhet. Do të njiheni me të vërtetat e Monika këmbësores dhe satelitëve të gjithësisë”, tha ajo.
E pyetur nëse ka pasur komunikim me Ilir Metën, ajo tha “zero”.
“Jo jo, nuk komunikoj, zero komunikim me zotin Meta”, u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi ka ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin për masën e sigurisë, detyrim paraqitje.
Kryemadhi e ka dorëzuar ankimim përmes postës të shtunën, ndërsa kujtojmë se ajo po hetohet për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash.
Ndërkohë pritet që Ish-presidenti Ilir Meta do ta dorëzojë këtë të hënë ankimimin kundër vendimit të arrestit me burg.
Kujtojmë që më 23 tetor, Gjykata la në fuqi masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të caktuar ndaj bashkëshortes së Ilir Metës, deputetes Monika Kryemadhi, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.
Ndërkohë, u zëvendësua masa e sigurimit personal ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.
Lini një Përgjigje