
Juristi Kreshnik Spahiu duke komentuar rihapjen e dosjes së Haklajve në SPAK, tha se kishte mbetur i habitur kur kishte parë zonjën Aishe në dyert e prokurorisë, teksa shtoi se kishte dyshimet e tij nëse kjo çështje do të zbardhej.
Në një intervistë për "Erounews Albania" ai theksoi se do të rezervohej për të folur për këtë çështje duke marrë në konsideratë që vëllezërit Haklaj kanë vrarë një nga miqtë e tij më të mirë. Duke iu referua këtu faktit që ka qenë avokat i Azem Hajdarit.
“Këto janë vrasje që kanë ndodhur përpara 25 vitesh. Nuk ishte e qartë nëse ishte thirrur motra e Haklajve aty, apo ishte paraqitur vetë. Duke qenë se një nga miqtë e mi më të mirë është vrarë prej vëllezërve të saj, çdo deklarim i imi, interpretim apo analizë, do të ishte e njëanshme. Unë dua të jem shumë korrekt, nuk dua të flas as me mllefe politike, as me mllefe personale. Kam dyshimet e mia nëse këto çështje do të zbardhen sepse mbetem me parimin, drejtësi e vonuar, drejtësi e harruar”, tha juristi.
Në komentin e tij për çështjen, Spahiu u shpreh se në këtë histori nuk bëhet fjalë për 1 vrasje dhe se çështja është më e madhe pasi në atë krahinë janë vrarë mbi 50 persona.
“Nuk kemi të bëjmë me një vrasje. Kemi të bëjmë me mbi 50 vrasje. Mendoj që engjëlli dhe djalli kanë bashkëjetuar për një periudhë shumë të gjatë në këtë krahinë. Nuk do doja ta politizoja në këtë fushatë elektorale, as për të baltosur ndonjë nga liderët politikë”, shtoi ai.
Lini një Përgjigje