TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Dhjetor 2025, 19:24

Minatori shkon me dritë mbi kokë në foltoren e PD: Krim mjedisor dhe njerëzor në Zall-Gjoçaj

Shkruar nga Pamfleti

Minatori shkon me dritë mbi kokë në foltoren e PD: Krim mjedisor

Minatori dhe banori i fshatit Urdhall të Matit, Avdi Toshi, ka marrë fjalën në foltoren e Partisë Demokratike duke hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë për shkatërrimin sistematik të Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj përmes ndërtimit të një hidrocentrali. Me një dritë elektrike të ndezur mbi kokë, si simbol i luftës për energjinë e pastër dhe jetën në errësirë të banorëve të zonës, ai artikuloi një nga denoncimet më të ashpra publike ndaj korrupsionit institucional dhe krimeve mjedisore që janë kryer në këtë park të mbrojtur.

Sipas deklaratës së tij, dëgjesat publike janë manipuluar në Rrëshen, duke përdorur kryepleq të Mirditës për të firmosur në emër të komuniteteve që preken drejtpërdrejt nga ndërtimi i HEC-it në Zall-Gjoçaj. Në fakt, këto vendime kanë devijuar lumin Flym për 22 kilometra, me katër kilometra të futura në tunel, duke e krahasuar projektin me përmasat e tunelit të Llogarasë. Uji është futur i gjithi në tuba, duke lënë të tharë burime natyrore, lumenj, tokat bujqësore dhe duke vrarë habitatin e bletëve dhe faunës ujore.

Toshi denoncoi se zona e mbrojtur është hequr nga statusi me vendim të Këshillit të Ministrave për t’i hapur rrugë ndërtimit të HEC-it, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai theksoi se janë prekur mbi 80 kilometra katrorë, dhe janë detyruar të largohen nga pronat e tyre rreth 8 mijë banorë të zonës, që sot jetojnë pa ujë, pa rrugë dhe pa perspektivë.

Ai akuzoi edhe Avokatin e Popullit për heshtje të qëllimshme, ndërsa kërkoi nga SPAK arrestimin e autorëve të këtij krimi ekonomik dhe ekologjik. Toshi bëri të ditur se janë dorëzuar padi në SPAK dhe në prokurorinë e Lezhës, por deri tani nuk ka asnjë hetim të hapur. Ai përmendi edhe presione të drejtpërdrejta nga strukturat shtetërore dhe përpjekje për të ndëshkuar protestuesit me gjoba dhe procese gjyqësore për "prishje imazhi".

Në fund të fjalës së tij, Toshi lexoi një peticion të hartuar në formë vargjesh popullore, ku përshkruhet dhimbja e zonës, rëndësia e Parkut Kombëtar për identitetin dhe jetesën e banorëve, dhe thirrja për bashkim kundër shkatërrimit të qëllimshëm të natyrës dhe historisë së vendit.

Lini një Përgjigje