
Duke parasysh se mund t’i digjet mandati i deputetit, Berisha mesa duket ka vendosur të nxjerrë në shesh militantët.
Ish kryeministri Sali Berisha, ka njoftuar se më datë 12 korrik në orë 20:00, ka thirrur një protestë kombëtare para Kryeministrisë. Duke parasysh se mund t’i digjet mandati i deputetit, Berisha mesa duket ka vendosur të nxjerrë në shesh militantët, për t’i përdorur ata si formë presioni që të mos lejojë një gjë të tillë.
Gjatë fjalës që mbajti nga banesa e tij, në mbledhjen e Kryesisë me një lidhje Live, Berisha deklaroi se së shpejti do të ngrihet një qeveri teknike dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ai theksoi se dërgimi i vendit në zgjedhje të parakohshme është prova më e madhe me të cilën përballet opozita, dhe që sipas tij do të vendosi dhe ekzistencën e saj, duke i nxitur militantët që të marrin pjesë në protestë për hirë të ekzistencës së PD-së.
Si gjithmonë kur ndodhet në pozita të vështira, Berisha nuk nguron aspak që të nxjerrë demokratët dhe militantët në sheshe për interesat personale, në mes të korrikut përvëlues.
“Detyra jonë është një dhe vetem një, shpëtimi i Shqipërisë nga ky regjim dhe krijimi i qeverisë teknike.
Rëndom shtrohet pyetja se si mund të krijohet qeveria teknike.
Së pari u them shqiptarëve se qeveria teknike krijohet në mënyrën më të pashmangshme, sepse Edi Rama nuk ka më legjitimitet. Edi Rama dëshmoi në zgjedhjet e 14 majit se është i aftë të shkelë çdo ligj, normë kushtetutë.
Një qeveri që zbaton ligjet, kushtetutën, ajo qeveris gjer në zgjedhjet e radhës.
Një qeveri që nuk ka ligj, normë e moral, ajo qëndron në pushtet vetëm për shkak të dobësisë së opozitës.
Ajo nuk meriton as 24 orë të qëndrojë në pushtet në vend dhe ne duhet të ua bëjmë të qartë të gjithë anëtarëve dhe mbështetësve tanë, se në rast se sot qeveris Edi Rama ai qeveris për shkak të dobësive tona dhe këto dobësi duhet të marrin fund sa më shpejt.
Opozita është në provën e saj më të madhe në tërë ekzistencën e saj. Do të arrijë ajo të imponojë një qeveri teknike apo të shkojë dhe të firmosë fitoren e radhës së Ramës dhe të ndëshkojë shqiptarët, alternativë tjetër nuk ka. Unë them se ne duhet të zgjedhim të parën”, deklaroi Berisha.
Lini një Përgjigje