TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Nëntor 2023, 17:17

GJKKO rrëzon Berishën: SPAK nuk ka arsye që t’i drejtohet Kuvendit, masa e sigurisë kufizim dhe jo heqje lirie

Shkruar nga Pamfleti
GJKKO rrëzon Berishën: SPAK nuk ka arsye që t’i drejtohet
Berisha

Masat e caktuara nga gjykata nuk kanë cenuar lirinë personale dhe në kuptim të ligjit procedurial përbëjnë "masa të tjera" për të cilat shprehimisht nuk kërkohet autorizimi paraprak i Kuvendit...

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar argumentet e Sali Berishës dhe të avokatëve të tij sa i takon çështje së imunitetit. Berisha pretendon se gjykata dhe SPAK kanë shkelur Kushtetutën duke vendosur masë sigurie ndaj tij dhe duke i bllokuar pasaportën, pasi ai ka imunitet deputeti.

Berisha kapet te neni 73 i Kushtetutës, i cili shprehet: “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t'i hiqet liria ne çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit".

Por sot Gjykata e Posaçme ka zbardhur vendimin për masën e sigurisë kundër tij dhe hedh poshtë të gjitha argumentet. GJKKO shprehet se nuk kemi të bëjmë me heqje lirie, por me kufizim të saj. Sipas gjykatës, nuk ka arsye që të kërkohet në Kuvend heqja e imunitetit për Sali Berishën.

Për këto të drejta të tjera themelore, nuk parashikohet pasja e imunitetit të deputetit dhe prandaj nuk është e nevojshme dhënia e autorizimit paraprak nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Masat e caktuara nga gjykata nuk kanë cenuar lirinë personale dhe në kuptim të ligjit procedurial përbëjnë "masa të tjera" për të cilat shprehimisht nuk kërkohet autorizimi paraprak i Kuvendit. Masa e sigurimit personal e detyrimit për t'u paraqitur në policinë gjyqësore dhe masa e ndalimit për të dalë jashtë shtetit të dhëna ndaj personit nën hetim Sali Berisha, nuk përbëjnë 'heqje të lirisë personale' por një 'kufizim të lirisë për të lëvizur jashtë shtetit” shprehet GJKKO.

Vendimi i GJKKO

Neni 73 i Kushtetutës parashikon shprehimisht se: "2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose t'i hiqet liria ne çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit".

Dispozita në fjalë është reflektuar në nenet 288 dhe 289 të Kodit të Procedurës Penale. Në nenin 288, i zëvendësuar nga ligji nr. 35/2017, neni 149 parashikon shprehimisht se:

1. Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet masa e sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqja e lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrolli personal ose i banesës, prokurori kërkon autorizim nga Kuvendi.

2. Kërkesa për autorizim paraqitet kur plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në këtë Kod për kryerjen e veprimeve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni. Ajo shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën e tij.

3. Kur deputeti është arrestuar në flagrancë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme njofton menjëherë Kuvendin. Kur Kuvendi vendos heqjen e masës së arrestit në flagrancë, deputeti lirohet menjëherë.

Neni 289 i Kodit të Procedurës Penale parashikon shprehimisht se:

1. Mosdhënia e autorizimit, sipas nenit 288, të këtij Kodi, nuk e pengon prokurorin që të kërkojë një masë tjetër sigurimi, sipas nenit 244, dhe as të procedojë ndaj tij ose personave të tjerë, ndaj të cilëve zhvillohen hetime për të njëjtin fakt.

2. Kur nevojat e sigurimit rëndohen apo kur nga hetimet rezultojnë fakte ose rrethana të reja, prokurori mund t'i kërkojë Kuvendit autorizim, sipas paragrafit 1, të nenit 288, të këtij Kodi.

3. Heqja e masës së arrestit në flagrancë, sipas paragrafit 3, të nenit 288, të këtij Kodi, nuk e pengon prokurorin t'i kërkojë Kuvendit autorizim, sipas paragrafit 1 të nenit 288".

Koncepti i lirisë së përmendur në paragrafin "2" të nenit 73 të Kushtetutës duhet krahasuar me konceptin e lirisë që parashikohet në nenin 27 të Kushtetutës. Në bazë të një interpretimi sistematik rezulton e qartë se autorizimi paraprak i Kuvendit kërkohet vetëm për rastet e disponimit të lirisë personale të deputetit, por jo për liritë e tjera. Liria e personit nënkupton lirinë nga arrestimi dhe ndalimi kurse siguria e personit nënkupton mbrojtjen kundër ndërhyrjes arbitrare ndaj lirisë së tij.

Në vijim, neni 28 i Kushtetutës parashikon se: ....

2. Personi, të cilit i është hequr liria sipas nenit 27, paragrafi 2, nënparagrafi "c" (c) kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër penale ose për të parandaluar kryerjen prei tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj), duhet të dërgohet brenda 48 orëve përpara gjyqtarit, i cili vendos paraburgimin ose lirimin e tij jo më vonë se 48 orë nga çasti i marrjes së dokumenteve për shqyrtim;

3. I paraburgosuri ka të drejtë të ankohet kundër vendimit të gjyqtarit. Ai ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të procedohet i lirë përkundrejt një garancie pasurore sipas ligjit;

4. Në të gjitha rastet e tjera, personi, të cilit i hiqet liria në rrugë jashtëgjyqësore, mund t'i drejtohet në çdo kohë gjyqtarit, i cili vendos brenda 48 orëve për ligjshmërinë e kësaj mase; 5. Çdo person, të cilit i është hequr liria sipas nenit 27, ka të drejtën e trajtimit njerëzor dhe te respektimit të dinjitetit të tij

Në interpretim të neneve 27 dhe 28 të Kushtetutës, konstatohet se bëhet fjalë për një burgosje të personit, heqje e lirisë në kuptimin e kapjes së tij.

Kjo heqje lirie mund të ndodhë në disa forma që janë: a)me kërkesë në gjykatë; b)me urdhër ndalimi të prokurorit; c)arrestimi në flagrancë; d)ndalimi me inisiativë; e)heqje e paligjshme e lirisë në çfarëdo lloj forme siç është marrja me forcë dhe mbyllja në një vend, apo mbyllja në vendin ku ndodhet duke mos e lejuar të dalë etj. Edhe garancia pasurore, sipas parashikimit të nenit 236 të K.Pr.Penale, zbatohet si një alternativë e masës së sigurimit "arrest në burg" ose "arrest në shtëpi".

Nga analiza e dispozitës kushtetuese dhe e dispozitave procedurale rezulton se shprehja kushtetuese "liria" e përmendur në nenin 73 pika "2" e Kushtetutës i referohet vetëm 'lirisë personale' së personit nën hetim dhe jo lirisë së tij për të dalë lirisht jashtë shtetit.

Ndërsa shprehja "në çfarëdo lloj forme, aja e nënkupton çfarëdo lloj lirie, por format që mund të zbatohen për heqjen e saj, siç mund të jenë: i heqja e lirisë me vendim gjykate për caktimin e masës së sigurimit "arrest në burg" apo "arrest në shtëpi";

ii.urdhëri i ndalimit të prokurorit;

iii. ndalimi me inisiative nga policia gjyqësore;

iv.arrestimi në flagrancë.

Trajtimi i mësipërm është në përputhje dhe me gërmën 3 të nenit 73 të Kushtetutës, sipas të cilës deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë, si dhe me nenin 289 të K.Pr.Penale, sipas të cilit, mosdhënia e autorizimit sipas nenit 288 të këtij Kodi, nuk e pengon prokurorin që të kërkojë një masë tjetër sigurimi sipas nenit 244 të K.Pr.Penale.

Për këto të drejta të tjera themelore, nuk parashikohet pasja e imunitetit të deputetit dhe prandaj nuk është e nevojshme dhënia e autorizimit paraprak nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Masat e caktuara nga gjykata nuk kanë cenuar lirinë personale dhe në kuptim të ligjit procedurial përbëjnë "masa të tjera" për të cilat shprehimisht nuk kërkohet autorizimi paraprak i Kuvendit.

Masa e sigurimit personal e detyrimit për t'u paraqitur në policinë gjyqësore dhe masa e ndalimit për të dalë jashtë shtetit të dhëna ndaj personit nën hetim Sali Berisha, nuk përbëjnë 'heqje të lirisë personale' por një 'kufizim të lirisë për të lëvizur jashtë shtetit. Këto kufizime të lirisë për të lëvizur jashtë shtetit dhe për t'u paraqitur në policinë gjyqësore: së pari, janë kufizime tejet proporcionale në lidhje me nevojat e procedimit penal, kjo për arsye se edhe ndjekja penale është një koncept kushtetues që përbën një atribut të prokurorisë dhe si i tillë kërkon të baraspeshohet me ushtrimin e të drejtave dhe lirive personale të personit nën hetim.

Së dyti, e drejta për të lëvizur jashtë shtetit dhe lëvizja e lirë e personit nën hetim, nuk përbëjnë heqje të lirisë personale dhe për rrjedhojë nuk i nënshtrohen detyrimit nga organi procedues për të kërkuar autorizimin paraprak nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

Së treti, dallimi i lirisë personale dhe i asaj për të dalë jashtë shtetit është i përcaktuar edhe nga praktika gjyqësore e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Sipas jurisprudencës së kësaj gjykate, lidhur me "të drejtën e lirisë", Neni 5 i Konventës Europiane shqyrton lirinë fizike të personit; qëllimi i saj është të sigurojë që askush të mos privohet nga kjo liri në mënyrë arbitrare. Objekti i mbrojtjes së nenit 5, nuk ka të bëjë me kufizimet e lirisë së lëvizjes, të cilat udhëhiqen nga neni 2 i Protokollit nr. 4 (De Tommaso k Italisë [DHM], 2017, § 80; Creangă k Romanise (DHM], 2012, § 92; Engel and Others k, Holandës, 1976, § 58). /Pamfleti

berisha spak

Lini një Përgjigje