Shkuarja e Gaz Bardhit dhe Agron Gjekarkajt, si ‘pëllumba’ në folenë e vjetër të doktorit, nuk se është një avaz i ri, megjithëse, ka ngjallur mjaft debat.
Sali Berisha ka pritur e përcjellë aq shumë ‘djem plangprishës’ për 33 vjet, sa mund të bëjë një koleksion, si ato fotot e çuditshme që dalin në rrjete sociale, si produkt i eventeve të rralla.
E pikërisht ky fenomen është një rezultat laboratorik i saktë se pse Shqipëria nuk është në gjendje të prodhojë elita të reja politikanësh, apo të pluralizojë spektrin politik.
Trajektorja e Bardhit dhe e Gjekmarkajt, të cilët nisën një betejë me Sali Berishën kur u shpall Non Grata nga SHBA, por më pas u lodhën shpejt dhe ju përunjën si ‘djem plangprishës’, është një fotokopje e nisur herët. Fotokopje që sjell një nga defektet më të rënda jo vetëm në politikën shqiptare, por të politikës në tërësi, ku koherenca nuk është parim, por armik.
I pari që u përplas me Sali Berishën nga kupola e parë e PD-së ishte Neritan Ceka, i cili nuk pranoi prishjen e qeverisë së koalicionit ‘Bufi-Pashko’, që u quajt “qeveria e Stabilitetit”.
Në fundin e vitit 1991, Ceka ju kundërvu Berishës dhe Doktori e sikterosi nga partia. Edhe pse ishte themelues dhe një emër i madh i shkencës në Shqipëri. E përjashtoi me ceremoni, duke e telendisur se ka dalë nga banjoja e Ramiz Alisë.
Profesor Ceka u bë kundërshtar i Berishës, themeloi me të tjerë Aleancën Demokratike, luftoi për 5 vjet, derisa në vitin 1997 Sali Berisha ra nga pushteti. Në pushtetin e ri të socialistëve Neritan Ceka që u bë ministër i Brendshëm në një koalicion të gjerë anti-Berishë.
Pas 10 vjetësh mërzitje me koalicionin e së majtës, profesori shkoi dhe u bë një këshilltar i thjeshtë i kryeministrit Sali Berisha në vitin 2007, pas rikthimit të tij të çuditshëm. Duke lëpirë të gjithë ato që kishte pështyrë për autokratin që rrëzoi demokracinë. Dhe sot e kësaj dite, Ceka është një nga ata ‘intelektualë’ që shfaqet sa herë doktori ka nevojë për prezencën e tij. Në hotele, panele, apo edhe intervista të ndryshme.
Njëjtë si Ceka, edhe Arben Imami, ishte një nga politikanët që bëri betejë me Sali Berishën në vitin 1992, kur u largua nga Partia Demokratike dhe ju bashkua PAD-së. Në vitin 1997, Imami u quajt edhe gjenerali i jugut, pasi erdhi nga Greqa dhe kërkoi të pushtojë Tiranën me tanket e marra nga ushtria në Gjirokastër. Por në vitin 2005, Imami u bë shefi i kabinetit të Sali Berishës, që vetëm pak vite më parë kërkonte ta shtypë me tanke. Të gjitha vendimet e Sali Berishës për 4 vjet kanë firmën e Arben Imamit. Madje edhe risjellja në krye të shtetit të Bashkim Gazidedes, shefit famëkeq të SHIK-ut që zhdukte e dhunonte njerëz. Aq e vërtetë është kjo, sa në një deklaratë në media, pikërisht kur Gazidede u emërua nëndrejtor i Hipotekave, Neritan Ceka tha: “Ju thaftë dora Arben Imamit që ka firmosur emërimin e Gazidedes”. Katër vjet më pas, Imami u bë ministër i Mbrojtjes, e firmosi kthimin e klubit Partizani në një shesh ndërtimi, të cilin e mori dhëndri i Sali Berishës.
Po ashtu edhe Preç Zogaj, i ndjeri Gramoz Pashko, që u betuan se do të qëndrojnë gozhdë për të ndaluar autokratin, e në fund si ‘djem plangprishës’ i kërkuan falje babës dhe pranuan çikërrimat e indulgjencës së Doktorit.
Çfarë është e gjitha kjo? Përveç se është tëpkë metafora e lopës që rrëzon tenxheren e qumshtit, përfaqëson jo thjesht mungesë koherence. Por është mbizotërim i plotë i pragmatizmit, interesit të vogël përballë parimit në politikë.
Të gjithë këto ‘djem plangprishës’ që u rikthyen te Berisha, janë fajtorë në mbushjen e mendjes së trazuar të Doktorit se ai është një person me super attribute. Që i bën njerëzit që të vijnë tek ai edhe pse kanë thënë njëmijë e një të zeza për të.
Kjo lloj politike realisht, ka vrarë të gjithë ato ndjekës, vëzhgues, apo edhe aspirantë për të garuar, milituar apo edhe ndikuar në politikë. Që nuk ka lidhje vetëm me PD dhe Berishën, pasi ka ndodhur edhe në PS, ku të gjithë që duan të hyjnë në lojë, nuk punojnë në territor, por lidhen me Edi Ramën, Në mënyrë direkte, duke krijuar kështu logjikën feudale të politikës shqiptare, ku ‘pashai’ zgjedh ‘spahinjtë’, që për të ecur përpara japin atributin në natyre apo edhe të holla për të bërë karrierë.
E kështu është vrarë thellë nisma, vullneti i lirë, vlera e një ideje apo e një koncepti politik.
Sot, Sali Berisha, nuk e kontrollon dot shumicën e opozitës, dhe këtë e kanë treguar edhe zgjedhjet apo zhvillimet. Por Berisha ka provuar se edhe pse s’e kontrollon, mund ta shkatërrojë e të vrasë çdo mundësi të një politike të re, pikërisht sepse shantazhon me pjesën më të egër e fanatike të opozitës. E cila edhe pse mund të jetë solide, ka një peshë zero, ose më mirë më thënë, është sa vetë pesha e doktorit.
Në opinion, kjo pjesë, do të varet gjithmonë nga tregu që do ta koutojnë ndërkombëtarët. E në një rast si ky, kjo peshë është siç po shihet irelevante, çka e treguan edhe zgjedhjet e shkuara apo edhe sondazhet e herëpashershme.
Si rezyme, ja vlen të thuash sot, se nuk ekziston një brez politikanësh që jo vetëm idealistë, por edhe nuk u treguan koherentë me qëndrimet e tyre.
Prandaj kërkohet një ‘deal’ i ri, një marrëveshje e re politike e një opozite, që të mos ketë asnjë lidhje as me Sali Berishën e Ilir Metën, por as edhe me këta personazhe që i janë qurravitur edhe i qurraviten për një mandat deputeti. Duhet realisht një opozitë e re, e cila nuk ka nevojë të dalë nga gërmadhat, thjesht ta konsiderojë veten jashtë këtij mjedisi toksik që nuk ndot vetëm politikën, por edhe ata vetë./Pamfleti
Lini një Përgjigje