Autori me viktimën dhe të plagosurin janë fqinj. Ata dyshohet se kanë pasur përplasje për shkak të një kanali kullues...
Një person është vrarë me armë zjarri ndërsa një tjetër është plagosur në Kamëz.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur në Laknas, teksa mësohet se është ndaluar autori. Bëhet fjalë për një të moshuar, i cili ka hapur zjarr ndaj dy personave. Mësohet se Maliq Marku, 70 vjeç, ka vrarë Shefqet Hasën dhe ka plagosur Besim Keçën.
Policia bën me dije se i plagosuri ndodhet nën kujdesin e mjekëve, teksa po hetohet për shkaqet e ngjarjes.
Sipas burimeve, autori me viktimën dhe të plagosurin janë fqinj. Ata dyshohet se kanë pasur përplasje për shkak të një kanali kullues që kalonte pranë banesave të tyre. Konflikti ka agravuar dhe i moshuari ka marrë armën duke qëlluar në drejtim të Shefqet Hasës dhe Besim Keçës.
“Më datë 30.11.2023, në Laknas, në rrugën “Fatos Shupi”, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi M. M., rreth 70 vjeç, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. H., rreth 55 vjeç, si dhe ka plagosur shtetasin B. K., rreth 50 vjeç. Shtetasi B. K., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Autori i dyshuar është arrestuar në flagrancë, si dhe është sekuestruar dhe arma e përdorur gjatë krimit. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
Lini një Përgjigje