
Dritan Rexhepi ka folur për herë të parë në GJKKO lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.
SPAK e akuzon Dritan Rexhepin si porositësin e krimit. Por gjatë seancës Rexhepi ka mohuar akuzën. Gjithashtu ai ka mohuar që të ketë njohje me Gentian Funiqin, një prej personave që akuzohet nga SPAK lidhur me ngjarjen e ndodhur në janar 2020.
Rexhepi ka sqaruar gjithashtu se në kohën e ngjarjes ndodhej në burgun e Pratos, në siguri të lartë, për shkak të një procesi në Apelin e Firences.
“Në burgun e Pratos kam qenë në sigurinë e lartë pasi kisha Apelin në Firence dhe me mbajtjen 10 ditë. Nuk e njoh, se kam parë ndonjëherë në jetën time Gentian Funiqin. Do ia faktoj këtë prokurorëve me prova në vijim”, ka deklaruar Rexhepi.
Gjatë seancës së sotme avokatët e të pandehurve kanë kundërshtuar provat shkresore të paraqitura nga SPAK.
Vrasja e Prengës ndodhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun.
Lidhur me krimin fillimisht u arrestuan 8 persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një.
Për gjykim janë dërguar: Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini.
SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja.
Rrëmbimi është bërë nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Lini një Përgjigje