Policia e Tiranës i ka përqendruar veprimet hetimore në pistën e hakmarrjes për të zbardhur plagosjen e shtetasit Zamir Kalemi, ky i fundit në dëshminë e dhënë këtë të diel, ka mohuar të ketë konflikte, apo që të ketë parë autorët.
Dëshmia e tij u administrua në ambientet e spitalit të Traumës, ku Kalemi ndodhet për kurim që prej mbrëmjes së të premtes Ai u qëllua me breshëri arme në rrethrrotulimin e Selitës dhe ne vendin e ngjarjes u gjeten 13 gëzhoja.
40-vjeçari i pyetur nga hetuesit ka treguar mbi lëvizjet e tij ditën e premte, rrethana këto të rëndësishme për hetuesit, të cilët po kërkojnë sekuestrimin e kamerave të sigurisë në ato vende, me shpresën se do të gjejnë gjurmë të autorëve.
'Në momentin që ka ndodhur ngjarja unë kam qenë duke u kthyer për në banesën time pasi konsumova një kafe. Unë nuk arrita të shikoj autorët dhe për shkak të të shtënave kam humbur kontrollin e makinës.', ka deklaruar Zamir Kalemi.
Kalemi u qëllua me breshëri arme mbrëmjen e të premtes dhe sipas skemës së ringritur nga grupi hetimor, menjëherë më pas është përplasur me një makinë për shkak se ka humbur kontrollin dhe më pas ka përfunduar në bordurën e rrugës.
Për gjetjen e autorëve, policia ka vendosur 15 mijë Euro shpërblim për ata që japin informacion për autorët e atentatit.
Sakaq dyshohet se ky atentat ka lidhje me disa ngjarje të rënda kriminale të ndodhura gjatë vitit 2022 dhe 2023 në Shqipëri dhe Greqi.
Kjo pasi 40-vjeçari, rezulton të jetë i afërm i Aleksandër Sadikajt, i cili u vra me eksploziv më 11 Qershor 2022 në autostradën Tiranë-Elbasan, pak metra larg rreth-rrotullimit të TEG-ut.
Lini një Përgjigje