Hetimet tregojnë se këto pasuri janë përfituar përmes aktiviteteve kriminale jashtë dhe brenda vendit, dhe janë përpjekur të “maskohen” në sistemin financiar shqiptar...
Policia ka zbardhur më shumë detaje mbi operacionin e sotëm për sekuestrimin e pasurive të Kristian Konit, një personazh i njohur për lidhjet me trafikun e drogës dhe vrasjet në Itali. Koni dyshohet se ka qenë pjesë e organizatës mafioze “Camorra” dhe rezulton të ketë përdorur pesë identitete të ndryshme, ndër to edhe emrin Olsi Meta.
Më herët gjatë ditës, ishte Prokuroria që njoftoi për sekuestrimin e pasurive të tij, ndërsa Policia doli më pas me një deklaratë zyrtare, duke publikuar foto dhe të dhëna të detajuara mbi pasuritë e konfiskuara.
Në total, janë sekuestruar 19 prona të paluajtshme (banesa, apartamente dhe toka), 2 automjete dhe 20 llogari bankare, të regjistruara në emër të Konit ose të familjarëve të tij. Sipas hetimeve, këto pasuri dyshohet se janë përfituar përmes veprimtarive kriminale brenda dhe jashtë vendit, dhe më pas janë legalizuar në sistemin financiar shqiptar përmes skemave të pastrimit të parave.
Prokuroria thekson se Koni ka qenë pjesë e një rrjeti të strukturuar kriminal për trafik narkotikësh në Itali gjatë viteve 2007–2012. Gjatë hetimeve janë dokumentuar edhe përdorimi i disa identiteteve të rreme, si dhe transaksione financiare të pajustifikuara në raport me të ardhurat e deklaruara të personave të përfshirë.
“Sipas të dhënave të administruara nga sistemet zyrtare dhe burime të tjera ligjore, u evidentuan pasuri të shumta të paluajtshme, automjete luksoze dhe llogari bankare në emër të: shtetasit K. K.; shtetases F. M.; dhe subjektit juridik ‘Kriol.AL’ sh.p.k., me përfaqësues ligjor po të njëjtin shtetas. Në total janë vendosur masa sekuestroje preventive mbi 18 pasuri të paluajtshme, dy automjete luksoze të llojit Range Rover dhe Smart, të regjistruara me targa karakteristike, si dhe llogaritë bankare të personave fizikë dhe juridikë të përfshirë në këtë hetim. Pasuritë përfshijnë prona në zonat e Tiranës, Bathores, Farkës, Marikajt etj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vijojnë për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë origjinë kriminale.
Lini një Përgjigje