
Katër persona janë arrestuar ditën e sotme, pasi u zbuluan nga policia se kishin kultivuar kanabis në fshatin Shëngjergj, në Zall Bastar të Tiranës.
Në pranga mësohet se kanë rënë Idajet Gjediku, Jednor Gjediku dhe Elvis Elezi dhe Fatime Gjediku, kjo e fundit 60-vjeç.
Gjithashtu bëhet me dije se janë proceduar për shpërdorim detyre, kryetari i fshatit Shëngjin, 2 punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe 1 punonjës policie.
Njoftimi i policisë
Në zbatim të masave të planit operacional “Territor i pastër”, u finalizua operacioni policor i koduar “Mountain”, për goditjen e një rasti të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Shëngjin.
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 4. Vihen në pranga 4 shtetas, autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike. Procedohen penalisht për shpërdorim detyre, 4 shtetas (kryetari i fshatit Shëngjin, 3 punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe 1 punonjës policie).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mountain”.
Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Gj., 60 vjeçe, I. Gj., 37 vjeç, J. Xh., 34 vjeç, dhe E. E., 30 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Gj., 56 vjeç, kryetar i fshatit Shëngjin, Zall Bastar; R. K., 57 vjeç dhe R. L., 59 vjeç, punonjës (rojë) të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.
Gjithashtu, në bashkëpunim me AMP, ka filluar procedimi në gjendje të lirë për punonjësin e Policisë (SPZ) E. D., 38 vjeç.
4 shtetasit e arrestuar dyshohet se kanë kultivuar bimë narkotike në fshatin Shëngjin, Zall Bastar, ndërsa shtetasit e proceduar në gjendje të lirë, dyshohet se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Një pjesë e bimëve narkotike u asgjësua me anë të djegies, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.
Lini një Përgjigje