
Katër persona u arrestuan për transportimin e një sasie të madhe kanabisi të papërpunuar në Greqi.
Ata u kapën me 42 kilogramë e 869 gramë kanabis, e cila nëse do të shitej e kalonte shumën prej 686,000 eurosh.
Operacioni u krye mbrëmjen e djeshme në zonën e Kozanit, jo shumë larg kufirit shqiptar, ku oficerët e policisë nga Departamenti i Narkotikëve të Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Kastoria (Kostur), pas informacioneve të marra, ushtruan kontroll në dy makina.
Drejtuesit e tyre nuk iu bindën sinjalit të ndalimit të policisë dhe u larguan me shpejtësi. Pasoi një ndjekje, pasagjerët e automjetit të parë, duke kaluar nëpër një zonë rurale-pyjore të Kosturit braktisën dy çanta udhëtimi që përmbanin 39 kilogramë kanabis të papërpunuar dhe u larguan drejt zonës së Kozanit.
Policia arriti të ndalojë automjetet dhe arrestoi një 26-vjeçare dhe tre burra 22, 29 dhe 44-vjeç. Nuk janë dhënë ende detaje për kombësinë e të arrestuarve, lidhjet e tyre dhe destinacionin e drogës.
Personat e arrestuar, me çështjen penale ndaj tyre, u dërguan në Prokurorinë e Gjykatës Penale të Kastorias.
Lini një Përgjigje