Një sasi prej 150 mijë euro dhe 164 mijë paund janë gjetur të fshehura në kabinën e kamionit teksa shoferi tentoi t’i kalonte pa i deklaruar përmes portit të Durrësit.
Në pranga ka rënë drejtuesi i kamionit i identifikuar si Dritan Hallkokondi.
“Strukturat hetimore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në portin e Durrësit, falë inteligjencës informative për një shtetas që po tentonte të fuste në Shqipëri një shumë të madhe parash në euro dhe në paund, kanë organizuar punën me qëllim goditjen e këtij rasti.
Në bashkëpunim me Policinë Kufitare të portit Durrës dhe Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shuma”, në kuadër të të cilit u kalua për kontroll të detajuar, në vijën e dytë, kamioni që drejtohej nga shtetasi D. H., 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili udhëtonte nga Italia për në portin e Durrësit.
Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në kabinën e kamionit, 150 000 euro dhe 164 735 paund britanik, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.”-njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Lini një Përgjigje