Ka nisur seanca në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion në ngarkim të Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj, lidhur me atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja më 1 nëntor 2019 në mbikalimin e Shkozetit.
Ditën e sotme është paraqitur në cilësinë e dëshmitarit Erjon Alibej, i cili ka statusin bashkëpunëtor i drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”.
Në dëshminë e tij, Alibej ka treguar se Plarent Dervishajn e njeh, ndërsa Julian Meçajn jo. Ai tha që Plarentin e ka takuar vetëm një herë dhe ka diskutuar lidhur me hallet që kishte, teksa sqaroi se arsyeja e takimit ishte për ta ndihmuar.
Më tej ai tha se pas atij takimi ata kanë komunikuar me aplikacion të enkriptuar. Alibej tha se në atë periudhë ka patur Enchro Chat dhe SKY ECC.
Ai gjithashtu ka treguar kodet që Plaurenti përdorte në Enchrochat të cilat ishin “Barcelona” dhe “Ghost”.
"Gjatë vitit 2019 kam jetuar në Elbasan. Plarent Dervishaj e njoh, Julian Meçaj jo. Plarentin e njoh pasi më ka mundësuar daja i bashkëshortes sime një takim me anë të një shokut të tij. Di që ka një fabrikë cigaresh në Librazhd. Më ka mundësuar ai një takim me Plaurentin. Kemi drekuar atje. Nuk e dija kush ishte ai në atë periudhë, po më duket një “Çekiçi” që kisha parë në televizor. Ky ka qenë takimi i parë dhe i vetëm. Unë në atë kohë, në 2019 kam qenë person në kërkim për një çështje të 2018. Strehohesha në shtëpinë time. Kam pasur disa probleme në shtëpinë time. Në atë periudhë, Arben Laze ka patur një Tuareg ngjyrë të zezë, kam ulur në sediljen mbrapa kam shkuar te fabrika e cigareve. Më priti Iliri dhe Arbeni, s’mbaj mend nëse ka qenë Plarenti aty apo nëse erdhi me mbrapa.
Plarenti kishte një BMW ngjyrë blu të blinduar, shofer ka qenë i djalë tjetër, Plarenti pasagjer. Mond Çekiçin nuk e njoh, e kam dëgjuar në media. Mbase Mondi ka qenë personi atë ditë për drekë, po nuk me kujtohet mirë, e kam të turbullt. Në atë takim, diskutova me Plarentin lidhur me hallet që më kishin rënë dhe arsyeja e takimit ishte për të më ndihmuar. Vetëm një here takim fizik kemi pasur, komunikonim në aplikacion të enkriptuar. Në atë periudhë kam patur Enchro chat, ka qenë periudhë që i përdorja të dyja, edhe sky ecc. Plaurenti përdorte “Barcelona” në Enchrochat, por edhe pseudonimin “Ghost”. Këto mbaj mend unë", tha Alibej në dëshminë e tij.
Lini një Përgjigje