
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dje në Has, ku një 14-vjeçar është larguar nga banesa duke marrë pa leje automjetin e të atit. Familjarët kanë bërë menjëherë kallëzim në Komisariatin e Policisë së Hasit, duke çuar në shpalljen në kërkim të të miturit.
Sipas burimeve zyrtare, pas marrjes së kallëzimit, policia ka nisur menjëherë hetimet dhe kërkimet për të gjetur të miturin. Pas disa orësh, ai është lokalizuar dhe kapur në Mitrovicë, në territorin e Kosovës. Ndërkohë, mediat raportojnë se gjatë rrugës, 14-vjeçari ka ndaluar në dalje të Pejës për të mbushur makinën me 79 euro karburant, duke vijuar më pas drejt Prishtinës.
Policia nuk ka bërë të ditur motivet e largimit, por burime pranë hetimit thonë se adoleshenti nuk ka pasur precedentë të mëparshëm. Autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me homologët kosovarë për kthimin e tij të sigurt në familje dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Lini një Përgjigje