
Mirësevini në Republikën e Zarfit!
Drejtësia shqiptare ka rënë. Jo rastësisht. Por me dashje. Me regji. Me pagesë.Në shumë gjykata të vendit nuk flitet më për ligj, as për Kushtetutë. Aty ku dikur shpalleshin vendime “në emër të Republikës së Shqipërisë”, sot lexohen vendime që mund të nënshkruheshin fare mirë me firmën, “Në emër të zarfit”.
Kemi hyrë në një epokë ku drejtësia nuk është më pushtet i pavarur, por shërbim me tarifë. Një sistem ku gjyqtari nuk është më gjykatës, por konsulent financiar i vendimit, prokurori nuk është ndjekës i ligjit, por negociator i pazareve, dhe avokati jo mbrojtës i të drejtës, por ndërmjetësues i ryshfetit.
Ky nuk është sistem drejtësie. Ky është një rrjet i strukturuar korrupsioni. Dhe, për më tepër, është më i rrezikshëm se drejtësia e diktaturës. Sepse në diktaturë, për sa e padrejtë të ishte, ekzistonte një rregull, dënimi jepej sipas një ligji, sado i shtrembër të ishte ai. Sot, ligji është një fasadë dhe vendimi varet vetëm nga interesi, jo nga prova, jo nga e vërteta, dhe as nga morali.
Në këtë sistem, drejtësia nuk është as e verbër, as e drejtë është me sy në banknotë. Nuk pyet për argumentin ligjor, por për tarifën. Nuk shqetësohet për të drejtën e qytetarit, por për garancinë e pagesës. Dhe nëse nuk ke mundësi të paguash, drejtësia jo vetëm të refuzon, por të poshtëron. Të dënon. Të shemb.
E vërteta e hidhur është kjo! Në hqipëri nuk është ulur korrupsioni është rritur çmimi. Sot korrupsioni nuk ndodh më me 50 mijë lekë. Sot të “zhdukësh” një çështje kushton mijëra euro. Gjyqtarët nuk janë më të shitur ata janë të shtrenjtë. Prokurorët nuk janë më të kapur ata janë të rezervuar për klientelë të zgjedhur. Dikur ishte ryshfet. Sot është shërbim VIP.
Në këto kushte, qytetari i zakonshëm nuk ka më asnjë shpresë te shteti. Sepse ky nuk është më një shtet ligjor është një pazar publik me çmime të fshehta. Nuk jemi në një krizë drejtësie, por në një kapje totale të saj nga një elitë që e përdor për të mbrojtur veten, për të pastruar paratë, dhe për të blerë heshtjen.
Gjykatat janë kthyer në pikëpagesa të interesit, ku ligji është thjesht një zbukurim në mur. Nëse drejtësia nuk pastrohet nga brenda, asnjë reformë, asnjë zyrë e huaj, asnjë operacion nuk do ta shpëtojë dot këtë vend.
Sepse nuk është vetëm sistemi që ka dështuar, është ndërgjegjja kolektive e zhytur në krim. Drejtësia sot nuk është e kapur. Është e shitur. Dhe blerësi është korrupsioni.
Lini një Përgjigje