TAGS-AT E JAVËS

Forum14 Shtator 2024, 11:45

Quo Vadis SPAK?

Shkruar nga Luçiano Boçi

Quo Vadis SPAK?

Njerëzit që duhej të eleminoheshin përzgjidheshin me kujdes. Ndaj tyre ndërtohej opinioni si armiq dhe pas kësaj arrestoheshin.

SPAK alias Prokuroria politike e posaçme, po ecën në gjurmët e prokurorisë popullore.

Gjuetia e shtrigave është hapur dhe duket që s’ka të ndalur. Armiqtë e pushtetit të ri popullor (rilindas) janë kundërshtarët politikë dhe antikomunistët organikë si ish pronarët apo të persekutuarit e rinj.

Asgjë e rastit, veçse një përsëritje historie dhe histerie.

Hoxha në fillimet e veta të instalimit të pushtetit vendosi në krye të prokurorisë speciale ushtarakë të indoktrinuar si Bedri Spahiu, te cilët më pas i zëvendësoi me njerëz pa skrupuj që vinin nga radhët e të trajnuarve nga sigurimi i shtetit ne Bashkimin e largët sovjetik si Arianit Çela.

Verbëria e pashpirtësia e tyre është emblematike.

Pas kësaj prokuroria ishte thjesht zyra ekzekutive e Sigurimit, ndërsa Gjykata një zbatuese e verbër e urdhrave të prokurorëve.

Njerëzit që duhej të eleminoheshin përzgjidheshin me kujdes. Ndaj tyre ndërtohej opinioni si armiq dhe pas kësaj arrestoheshin.

Këtu merrte fund gjithçka. Prokuroria avanconte me qëllimin e fiksuar në kokë e sajonte fakte, gjoja prova e dëshmi dhe pritej thjesht forma e dënimit.

Mbështetja popullore me pretencat që jepeshin me altoparlante (sot të zevëndësuara nga mediat lëpirëse) ishte impresioniese, me brohoritje e duartrokitje.

Kështu Hoxha në pak vite shkoi në plumb, burg e litar me mbështetje ndërkombëtare opozitën politike të kohës.

U deshën shumë vite që të riktheheshim përsëri në të njëjtën pikë.

Si mallkim!

Përsëri po në emër të drejtësisë popullore e luftës kundër armikut të sistemit.

E nga drejtësia me korrupsion kaluam në drejtësinë me kriminalizim.

E majta ekstreme e instaluar me ndihmën e aleatëve të rinj jo historikë të saj, synoi që në fillim të krijonte drejtësinë politike si armën kryesore të mbajtjes së pushtetit.

Falë “sëmundjes” e “dobësisë”

për demokraci të së djathtës dhe trysnisë së ambasadave, e majta nisi revanshin e saj institucional duke pushtuar drejtësinë me pjellat e saj duke e shitur si reformë.

Krijimi i SPAK dhe e BKH me para amerikane dhe me burime njerëzore me bindje politike majtiste ekstreme, shënoi fillimin e realizimit të qëllimit të artikuluar e kërkuar nga hierarkët majtistë vite rresht: Eleminimin e Berishës dhe opozitës.

Pasi kaloi fazën e krijimit dhe pasjes së mbështetjes në opinionin sikurse pasardhësja e saj dikur, ato nisën gjuetinë e shtrigave me dëshirën e qëllimin për revansh.

Bijtë e bllokut e sigurimsat e vjetër të sistemit të ri, nuk ia kishin falë asnjëherë Berishës e familjes së tij shfronëzimin me turp që ai i bëri në 90-tën e 92-shin.

Nga 5 vite jetë SPAK 4 vite ia ka dedikuar hetimit dhe arrestimit të Berishës. Dhe vitin që tepron nuk e ka pushim. Është marrë me drejtuesit e opozitës Mehdiun e Metën.

Njëherazi ka vazhduar të amnistojë korrupsionistët e PS me Ramë e Veliaj.

Gjatë gjithë kësaj kohe SPAK e GJKKO janë ndeshur me PD e opozitën në dy forma.

Në formën e parë-duke zhvlerësuar akuzat me fakte e prova të PD për korrupsion galopant të Ramës&co.

Në formën e dytë-duke sulmuar Berishën dhe të tjerë brenda PD e opozitës.

Në të dyja format për t’i shërbyer politikisht pushtetit.

E shfaqur hapur tashmë si pjesë e organizatës kriminalo-politike të rilindjes, SPAK nuk ka as turp dhe as skrupuj.

Aranit Çelat e tij hartojnë një akuzë “të çmendur” ndaj Berishës me qëllimin e vetëm për ta mbajtur larg fushatës politike e për ta eleminuar atë politikisht.

Ndryshimet ligjore të paralajmëruara në programe politike nuk janë krime por vizione politike.

SPAK falë verbërisë politike i lexon vendimet kolegjiale politike si vepra penale dhe firmës së Ramës për ndryshimin e destinacionit të pronës “pa dashje me qëllim” i vendos emrin e Berishës.

Këto halucinacione ligjore nuk janë të rastit. Janë pasojë e bindjes së shërbëtorit ndaj padronit politik.

SPAK e GJKKO kanë mbyllur sytë e po vrapojnë pa arsyen në kokë e pa ligjin para sysh, drejt humnerës politike e juridike, duke sakrifikuar njëherë e përgjithmonë DREJTËSINË.

Nëse aty ka ende njerëz me integritet njerëzor dhe juridik duhet vetëm të shtrojnë pyetjen:

Ku po shkon ky SPAK?!

 

Lini një Përgjigje

Forum