
Pyetja që shtrohet prej disa muajsh në Shtetet e Bashkuara është :Si do të qeverisë Donald Trump, nëse fiton mandatin e tij të dytë? Një përgjigje e mundshme, edhe pse e mohuar nga vetë manjati, vjen nga “Projekti 2025”, një dokument i gjatë prej 922 faqesh, që është në fakt një manual mbi transformimin e thellë të strukturës së qeverisë federale amerikane...
Vitet e fundit, instituti republikan Heritage Foundation, në bashkëpunim me një koalicion të gjerë prej 50 organizatash konservatore, ka hartuar një plan që do të zbatohet që në muajt e parë pas një fitoreje të mundshme në nëntor, në një mënyrë të ngjashme me “Mandatin për Udhëheqje” nga ana e Ronald Reagan.
Madje “Projekti 2025”, përfshin projekt-urdhra ekzekutivë që synojnë të ripërcaktojnë funksionimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryesisht përmes një interpretimi ekstremist të Amendamentit të Dytë. Nga këndvështrimi i tyre, me marrjen e detyrës presidenti do të shtjerë në dorë një pushtet absolut mbi degën ekzekutive.
Pra do të ketë të drejtën të imponojë vullnetin e tij mbi burokracinë federale, duke krijuar apo shpërbërë agjencitë qeveritare, ndryshe nga sa është vepruar prej të paktën një shekulli. Objektivi i parë i “Projektit 2025”, është shtypja e armiqve të ish-presidentit mbi bazën e një gabimi logjik, të përqendruar tek paditë që i është nënshtruar Trump.
Sipas ish-presidentit, kjo përndjekje do të ishte justifikimi i hakmarrjes, duke vijuar edhe ai me përndjekjen e kundërshtarëve në gjykatë. Por për të nxjerrë dikë në gjyq duhen prova, dhe nëse ato janë të bollshme kundër Trump, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kundërshtarët e tij.
Kjo qasje, përshkruan vlerat që janë më afër një autokracie sesa një demokracie. Me sa duket sipas Trump, ata që janë në krye duhet të kenë të drejtën të persekutojnë kundërshtarët e tyre. Dhe kjo u bë e mundur edhe nga vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë me shumicë konservatore, që i njeh presidentit në detyrë, cilido qoftë ai, një imunitet pothuajse total në ushtrimin e funksioneve të tij.
Synimi i planit është t’i sigurojë presidentit të ardhshëm republikan mjetet për të arritur objektivat e vendosura, të cilat përkojnë kryesisht me ato të Partisë Republikane të re të udhëhequr nga Trump.
Përveç pjesës thelbësore të planit - hakmarrjes së lartpërmendur dhe ri-përcaktimit të strukturës federale, “Projekti 2025” parashikon ndër të tjera edhe ndalimin e abortit në nivel federal dhe një kufizim të fortë në përdorimin e kontraceptivëve.
Por edhe anulimin e rregulloreve kundër diskriminimit të komunitetit LGBTQI+, veçanërisht në shkolla; braktisjen e politikave për të luftuar ndryshimet klimatike dhe vazhdimin e përdorimit masiv të energjisë që vjen nga lëndët djegëse fosile; shpërbërjen e Rezervës Federale dhe kalimin në një sistem bankar të lirë.
Projekti parashikon gjithashtu ndërprerjen e marrëdhënieve ekonomike me Kinën; zgjerimin e arsenalit bërthamor të SHBA-së; rishikimin e pjesëmarrjes së SHBA-së në të gjitha agjencitë ndërkombëtare mbi bazën e kriterit kosto/përfitim, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara; zhdukjen e autonomisë së Departamentit të Drejtësisë, për ta bërë atë një organ plotësisht në varësi të Shtëpisë së Bardhë dhe shkarkimin e punonjësve federalë në bazë të kriterit të besnikërisë ndaj presidentit.
Të gjitha këto masa janë menduar të përmbushen brenda 6 muajve të parë të mandatit të ri. Përtej objektivave qartazi autoritare dhe kryesisht antikushtetuese - një problem që mund të anashkalohet falë shumicës konservatore në Gjykatën e Lartë - në dokument bie menjëherë në sy përsëritja obsesive e termit “Woke” (Zgjuar), i përdorur për të përcaktuar çdo formë të huaj me atë të shprehur nga vetë projekti.
Ky segment i projektit, synon që të krijojë tek popullata një ndjenjë rrethimi të vazhdueshëm, rreziku të afërt, qëllimi i të cilit është polarizimi dhe si rrjedhim edhe aktivizmi fanatik ndaj kundërshtarit politik.
Kjo është një prirje e zakonshme për demokraturat e sotme, demokracitë e dështuara, në të cilat mbeten ende gjurmët e mekanizmave tipikë të një demokracie, si zgjedhjet por edhe parlamenti, por të drejtuar nga një qeveri që mban nën kontroll median dhe të treja pushtetet. Për shembull siç ndodh në Hungarinë e Viktor Orbán. Struktura që përshkruan “Projekti 2025” për arritjen e këtyre objektivave, bazohet në 4 shtylla. Shtylla e parë është axhenda politike, me objektivat që sapo janë përcaktuar. Prandaj ka pika të qarta, ekstreme por transparente dhe që tashmë janë të qarta për votuesit, për të shmangur çdo lloj keqkuptimi.
Votimi për kandidatin e Partisë Republikane, do të thotë votim për këto gjëra. Gjithçka është e përmbledhur në një vëllim të përshtatshëm të shkruar “nga konservatorët për konservatorët”.
Shtylla e dytë, ka të bëjë me krijimin e një baze të dhënash mbi stafin e ardhshëm presidencial. Me shkarkimin e supozuar të punonjësve federalë, që nuk janë në një mendje me presidentin e ri, do të bëhej shumë i dukshëm problemi i gjetjes së shpejtë të një numri të madh punonjësish publikë, që do të punësoheshin me supozimin e besnikërisë së tyre totale politike ndaj shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë. Dhe për ta kryer këtë, një fushatë rekrutimi është tashmë aktive në faqen e internetit të “Projektit 2025”.
Shtylla e tretë është Akademia e Administratës Presidenciale, e cila është një shkollë për të përgatitur besnikët e lartpërmendur, në mënyrë që ata të mund ta nisin punën që nga dita e parë.
Shtylla e katërt dhe e fundit është manuali 180-ditor. Instituti e vë theksin tek një aspekt në veçanti: shpejtësia e zbatimit të planit. Për këtë arsye, ka përgatitur një manual të detajuar me të gjitha veprimet që duhen ndërmarrë një e nga një, në mënyrë që presidenti i ri republikan të mund t’i zbatojë ato në kohën më të shkurtër të mundshme.
Pra një terapi shoku, që të mos u japë kohë aktivizimi “antitrupave” demokratike. Këtu duhet pasur parasysh edhe diçka tjetër. Ajo që e thekson grupi i ekspertëve, është se plani nuk është i përshtatur ngushtësisht vetëm për Trump, por për çdo president të ardhshëm nga radhët e Partisë Republikane.
Ky plan, që siç pranohet hapur nga autorët e tij, nuk është i detyrueshëm, por një mjet i thjeshtë i vënë në dispozicion të kujtdo që dëshiron ta përdorë atë. Kështu Donald Trump nuk i kërkohet që të ndjekë me doemos planin, megjithëse ai në përgjithësi ndjek programin e tij.
Në fakt, kohët e fundit ai ka filluar të distancohet nga disa prej këtyre pozicioneve. Megjithatë e bën këtë vetëm për llogari politike: duhet të shfaqet më i moderuar në fushatën elektorale. Ndërkohë, Trump ka treguar në shumë raste se sa pak vlen fjala e tij, dhe janë të shumta rastet kur ka ndryshuar mendje mbi një temë, bazuar vetëm në leverdinë e momentit.
Dhe në fakt, pavarësisht mohimeve në lidhje me autorët e këtij plani (ndër të cilët spikat Russell Vought, ish-drejtor i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit në 3 vitet e fundit të mandatit të parë të Donald Trump, një nacionalist i krishterë që ka mbikëqyrur hartimin e pjesës administrative të platformës republikane të vitit 2024), zgjedhja nga Trump e J.D Vance si zëvendësin e tij, konfirmon se në fund të fundit “Projekti 2025” parashikon adresimin e shumë çështjeve, por edhe se cila do të jetë mënyra e funksionimit të presidencës së re Trumpiane. Me siguri, shumë më shkatërruese se sa mandati i tij i parë./Përshtati Pamfleti nga “Linkiesta”
Lini një Përgjigje