TAGS-AT E JAVËS

Forum13 Qershor 2025, 18:50

Parajsa artificiale e Iranit!

Shkruar nga Ben Blushi

Parajsa artificiale e Iranit!

Vendet që kanë besuar se kanë krijuar parajsën, gjithmonë kanë humbur, përfshi Shqipërinë komuniste dhe Iranin Islamik.

Pas sulmeve të Izraelit kundër Iranit, disa miq më kujtuan ngjarjet e romanit tim të fundit Parajsa Artificiale që u botua para tetë muajsh.

Në këtë libër flitet për një konflikt imagjinar mes Shqipërisë dhe Iranit, që nëse do ndodhte, mund të shkaktonte një luftë të vërtetë.

Parajsa Artificiale është një roman, një fiction, pra një fryt i fantazisë dhe jo një manual ushtarak dhe as një parashikim politik.

Megjithatë, kur po e shkruaja, isha i bindur se ky vend kaq agresiv, herët apo vonë mund të na bënte dëm edhe ne që jetojmë 3000 kilometra larg tij.

Dhe Irani nuk na dëmtoi pak gjatë viteve të fundit.

Në mënyrë të pabesë hakerat e tij zyrtarë, vodhën shumë nga të dhënët tona shtetërore dhe personale, përfshi gjithë data bazën E-Albania, ku është i skeduar secili prej nesh.

Nga ky piratim, nga ky akt i ngjashëm me një shpallje lufte, ka lindur edhe romani Parajsa Artificiale.

Ai flet për një betejë kibernetike mes Iranit dhe Shqipërisë që ka potencialin të kthehet në një luftë më të madhe ku mund të përfshihet Amerika dhe Izraeli, siç po ndodh aktualisht.

17 vjet më parë kur botova romanin, Të jetosh në Ishull, Ministria e Jashtme e Iranit lëshoi një deklaratë zyrtare kundër këtij libri, me shumë kërcënime kundër meje, natyrisht duke ma ndaluar hyrjen në këtë vend.

Të Jetosh në Ishull, tregon si bashkëjetuan në një fshat dhe në një oxhak, shqiptarët e krishterë me shqiptarët myslimanë, në shekullin e XVII dhe XVIII dhe në asnjë faqe të tij nuk përmendet Irani.

Që atëherë ende nuk e kuptoj ç’punë ka Irani që përzjehet në punët e botës dhe aq më keq në letërsinë e vendeve të tjera?

Ç’punë ka ky vend që kërkon të dijë sa e ka targën një inxhinier shqiptar në Durrës, si e ka emrin një muzikant në Shkodër, çfarë pronash ka një mësues matematike në Vlorë dhe çfarë shkruan një shkrimtar shqiptar në Tiranë?

Mesa duket ajatollahët që e drejtojnë, jetojnë në një parajsë artificiale që e kanë krijuar vetë duke besuar se ajo është parajsa e vërtetë.

Koha po tregon se e kanë gabim.

Vendet që kanë besuar se kanë krijuar parajsën, gjithmonë kanë humbur, përfshi Shqipërinë komuniste dhe Iranin Islamik.

Njëlloj sic ndodhi me Shqipërinë, bota mund ta ndihmojë Iranin të shpëtojë nga kjo parajsë e rreme.

Jam i bindur që shumë iranianë mezi po e presin këtë ditë.

Njëlloj si ata edhe plot njerëz në gjithë botën kanë padurim të shohin një vend normal, që nuk ju vjedh targat e makinave dhe nuk i kërcënon kur shkruajnë çfarë duan, qoftë edhe kundër parajsës.

Lini një Përgjigje