TAGS-AT E JAVËS

Forum 2 Maj 2025, 11:37

Mafia ndërton sistemin, bandat bëjnë zhurmën... një diferencë e madhe që duhet kuptuar!

Shkruar nga Pamfleti

Mafia nuk kërcënon, ajo thjesht vepron. Ajo nuk është kundër sistemit, ajo është vetë sistemi...

Mafia ndërton sistemin, bandat bëjnë zhurmën... një

Në Shqipëri shpeshherë fjala "bandë" dhe "mafie" përzihen si gota e konjakut me ujin, duke krijuar një konfuzion që u shërben më së shumti atyre që janë pjesë e lojës së madhe të krimit. Por mes këtyre dy grupeve ka një dallim që bën gjithë diferencën në botën e nëndheshme të politikës dhe ekonomisë.

Bandat, në Shqipëri, janë zhurma që bëjnë politikanët kur duan të tregojnë muskujt. Janë ata djemtë që kërcënojnë me telefonata, me numra të panjohur dhe fjali të ashpra që nuk përmbajnë asnjë elegancë. Ata janë "të fortët" e lagjeve, të paditur, të palexuar, pa vizion dhe pa strategji. Janë njerëz të pabesë që nuk njohin asnjë rregull, të cilët nuk respektojnë as kodin më minimal të lojës. Janë ushtarë të sakrifikuar në fushën e shahut që luajnë padronët e tyre, njerëz të dëshpëruar që e dinë se jeta e tyre vlen pak dhe mund të mbarojë në çdo moment, madje paguajnë edhe para për mbrojtje nga politika.

Nga ana tjetër, mafia është si një kostum i shtrenjtë që rri mbi trupin e hollë të shtetit. Mafiozët nuk bëjnë zhurmë. Ata flasin me zë të ulët, me kode të qarta, dhe nëse u duhet të "zhdukin" një problem, e bëjnë në mënyrë elegante dhe pa gjurmë. Mafiozët ruajnë kodet, e kuptojnë lojën dhe e luajnë atë në mënyrë të ndershme në botën e tyre, pa bërë lojëra të pista dhe pa tradhti.

Mafia nuk kërcënon, ajo thjesht vepron. Ajo nuk është kundër sistemit, ajo është vetë sistemi. Mafiozët nuk janë analfabetë apo injorantë. Ata janë shkolluar, kanë akses në bankat më të fuqishme, zotërojnë firmat më prestigjioze dhe njihen mirë me sistemin ligjor dhe financiar, të cilin e kontrollojnë me një efikasitet të frikshëm.

Në Shqipëri, bandat janë vegla në dorën e politikës. Politikanët u hedhin kockën, dhe ata kafshojnë aty ku u kërkohet. Por mafia është e kundërta. Ajo nuk është vegla e politikës; ajo e përdor politikën si një kukull të lehtë për të manipuluar. Politikanët janë vegla të mafias, ortake në lojë dhe interesa, dhe ata e dinë mirë këtë. Mafia financon fushata, blen influencë, kontrollon biznese strategjike, ndërtime, lojëra fati, resorte dhe biznese me shumë qarkullim paraje, aty ku kapitali mund të "lahet" në qetësi.

Mafia shet "rregull", jo kaos. Ajo ofron siguri për bizneset që bashkëpunojnë, rregull për ata që respektojnë kodet, dhe pasoja të shpejta, të pamëshirshme dhe të heshtura për ata që e sfidojnë.

Bandat janë kaosi i rrugës, mafia është qetësia e zyrës. Nëse do të mposhtet krimi në Shqipëri, duhet fillimisht të kuptohet kjo diferencë thelbësore. /Pamfleti

mafia bandat shqiptare pamfleti

Lini një Përgjigje