“Ka të ngjarë që elita t’i bëjë presion Putinit dhe madje t’i thotë: Duhet të japësh dorëheqjen. Duhet të kemi në krye një udhëheqës të ri!”

Historiania amerikane Amy Knight, i studion prej dekadash elitat ruse. Ajo ka punuar për 18 vite në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, si eksperte për çështjet ruse dhe sovjetike dhe ka shkruar shumë libra mbi Luftën e Ftohtë, KGB-në, pasardhësit e saj ideologjikë post-sovjetikë dhe Kremlinin.
Disa nga librat e saj më të fundit, përqëndrohen tek kultura e vrasjeve politike nën sundimin e Vladimir Putinit. “Meduza” bisedoi me Knight rreth sprovave, vështirësive dhe ndryshimit të sjelljes së elitave ruse që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës.
Pushtimi i kushtueshëm i Ukrainës, dhe përgjigja e heshtur nga shumë prej njerëzve më të pasurve dhe më me ndikim të Moskës, e bëjnë joshëse që ato të shpërfillen plotësisht.
Por kjo sjellje do të ishte e gabuar, thotë historiania Amy Knight.
Ajo mendon se Putin është i detyruar të ndajë pushtetin me këta njerëz, pavarësisht nëse i pëlqen apo jo. “Ai varet nga e gjithë elita ruse”- shprehet Knight, duke shtuar se elitat ruse në të ashtuquajturat “ministritë e pushtetit” dhe gjetkë komunikojnë me njëra-tjetrën, duke bërë që të flitet për këtë grupim njerëzish si një lloj klase e veçantë.
Lodhje nga lufta
Knight e pranon se parashikimi i sjelljes së elitave ruse është i vështirë. Por shton se luftimet në Ukrainë po i lodhin të gjithë. Knight përmendi gatishmërinë e oligarkut Oleg Deripaska për të kritikuar publikisht pushtimin, si një provë se “ai është i vetëdijshëm se ka shumë pakënaqësi” (edhe pse në fakt nuk është një zyrtar qeveritar).
“Kjo qasje, më nxit të pyes veten nëse nuk ka disa arsye të tjera për të spekuluar se Putini nuk është plotësisht i sigurt”- thotë ekspertja. Sanksionet perëndimore kanë “krijuar terrenin për një pakënaqësi graduale dhe të vërtetë ndaj Putinit”, edhe pse “asgjë nuk ka ndodhur ende”, thotë Knight.
Ajo thekson se lufta në Ukrainë, i ka kufizuar perspektivat e brezave të ardhshëm të elitave rusë, duke i bërë fëmijët, nipërit e mbesat “robër të guaskës aktuale ku është izoluar vendi”. “Ajo po i heq çdo lloj shprese të ardhmes së brezit të ri, pra brezit të ri të këtyre zyrtarëve qeveritarë dhe të forcave të rendit”- nënvizon historiania amerikane.
Knight ka dyshime mbi kapacitetin e Kremlinit për të blerë mbështetjen e elitave ruse apo të një klase të re të mesme. I pyetur nëse rritja e shpenzimeve të mbrojtjes e ka fituar besnikërinë dhe interesin vetjak të një brezi të ri rusësh, ajo deklaron se buxheti i fryrë ushtarak i qeverisë ruse, nuk është ende i mjaftueshëm “për të prodhuar një mbështetje të madhe për Putinin”. “Unë mendoj se ajo që po bën tani, tregon se sa i dëshpëruar është ai”- thekson më tej ajo, duke argumentuar se shpenzimet më të larta të Rusisë për mbrojtjen janë të paqëndrueshme.
Besnikëri vetëm nga servilët
Çfarë do të bëjë Vladimir Putin pa një mbështetje të gjerë? Knight thotë se ai e bazon sundimin e tij tek besnikëria personale. “S’ka asnjë dyshim, se Putin e vlerëson besnikërinë mbi efektivitetin”- thotë Knight, duke shtuar se nevoja e presidentit rus për aleatë besnikë shpjegon edhe ngurrimin e tij për të zëvendësuar zyrtarë si ish-ministri i Mbrojtjes Sergey Shoigu, pavarësisht dështimeve në punën e tyre dhe korrupsionit të shfrenuar.
Njëkohësisht , Putin e shkarkoi Shoigun, dhe tani prokurorët po ndëshkojnë shumë prej gjeneralëve që janë pasuruar gjatë pushtimit të Ukrainës. Këto gjyqe anti-korrupsion, thotë Knight, janë një nga mjetet kryesore të presidentit për të ruajtur besnikërinë e vartësve të tij.
Tek e fundit, “ai nuk mund të shkojë shumë larg duke vrarë, shtyrë nga dritaret apo helmuar anëtarët kryesorë të elitës së tij” shton ajo. Putin i mban nën kontroll elitat ruse duke “ndryshuar rregullat e lojës” në periudha të ndryshme. Pavarësisht favorizimit që i bën Putin besnikëve të provuar, lidhjet e elitave ruse me regjimin bazohen në thelb në interesin vetjak.
“Nuk mund të flitet kurrë për besnikëri idealesh, pasi këta njerëz mund të ndryshojnë në moment, nëse në lojë është mbijetesa e tyre politike…Gjithçka ka të bëjë me paratë”.
Kjo është e vërtetë, pavarësisht nga përkushtimi në dukje i Kremlinit ndaj ideologjisë patriotike. Dhe në një mjedis të diktuar nga “paraja, mbijetesa politike dhe siguria”, elitat neveritin çdo gjë tjetër që mund të sjellë “një kaos të vërtetë brenda Kremlinit”.
“Vijat e kuqe” të elitave
Ndërsa nuk parashikon ndonjë kryengritje të pashmangshme kundër Vladimir Putinit, profesoresha amerikane mendon se ka të ngjarë të ketë “shumë simpatizantë të rebelimit të Prigozhin në mesin e atyre që janë vërtet të pakënaqur me mënyrën se si ushtria ruse po e zhvillon luftën në Ukrainë”.
Përveç kësaj, ajo i tha Meduza-s se “nuk është e paimagjinueshme që disa anëtarë të elitës të formojnë një koalicion, të shkojnë tek Putini dhe t’i bëjnë presion që të bëjë lëshime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë” (duke supozuar se ata mund të rekrutojnë njerëz që kanë “njëfarë kontrolli mbi mekanizmat rusë të forcës dhe detyrimit”).
“Ka të ngjarë që elita t’i bëjë presion Putinit dhe madje t’i thotë: Duhet të japësh dorëheqjen. Duhet të kemi në krye një udhëheqës të ri!”. Por sipas saj, ky skenar bëhet i besueshëm vetëm nëse lufta në Ukrainë shkon keq për Rusinë në shumë aspekte.
Po ashtu, shumë gjëra varen nga mbështetja e vazhdueshme (dhe e zgjeruar) ushtarake e Perëndimit, të cilën Knight e mbështet fuqishëm. Gjithashtu, ajo beson se elitat e Rusisë ka të ngjarë të ndërhyjnë për të parandaluar një përshkallëzim tjetër të madh nga Putin, pra përdorimin e armëve bërthamore taktike.
“Unë personalisht mendoj se ky një kërcënim bosh. Ashtu si kërcënimi për pushtimin e një vendit anëtar të NATO-s. Rusët nuk kanë trupat apo mjetet që duhura. Ndaj një vendim i tillë do të haste patjetër në kundërshtime të mëdha”- thekson Amy Knight./Përshtati Pamfleti nga “Meduza”
Lini një Përgjigje