
A janë këta njerëz thjesht vegla të institucioneve të “Deep State”, që i frikësohen fitores së Trump? Kush e di. Gjithsesi, është po aq e besueshme alternativa që të mos ekzistojë një komplot i tillë i koordinuar, por që “terrorizmi stokastik” po bëhet shtylla kryesore e politikës në të gjithë spektrin ideologjik...
“A do të më shpëtojë ndonjëri nga ky prift ngatërrestar?”- pyeti oborrtarët e tij mbreti i Anglisë Henry II në vitin 1170. Ai i referohej kryepeshkopit të Canterbury-t, Thomas Becket. Ndërkohë disa nga kalorësit e tij e interpretuan deklaratën si një urdhër për ta vrarë Kryepeshkopin.
Sigurisht, nuk ishte hera e fundit që gjuha nxitëse, sado indirekte qoftë, të ketë nxitur dhunë në botën reale. Nëntë shekuj pas Henry II, deklaratat e forta tipike të Donald Trumpit janë lidhur vazhdimisht me kërcënimet reale ndaj sigurisë publike. Javën e kaluar përsëritja e një thashethemi nga ai në debatin televiziv përballë Harris mbi emigrantët nga Haiti në Springfield të Ohios, që sipas tij hanë qentë dhe macet e banorëve vendas, bëri bujë jo vetëm në media, tradicionale dhe ato sociale, si dhe u shoqërua me raporte për kërcënime me bombë ndaj tyre.
Por sikur trashëgimtarët e vërtetë të Henry II të jenë vërtetë armiqtë e Trump? Disa ditë pas deklaratës, Trump ishte objektivi i një atentati të dytë në dy muajt e fundit. Agjentët e FBI-së zbuluan në kohë një person të armatosur në fushën e golfit të kandidatit republikan në Florida.
Teoricienët e komploteve po shqyrtojnë detajet e dy sulmeve, dhe po nxjerrin përfundime mbi autorët.
Për shembull, kanë vënë në dukje se atentatori i dyshuar i fundjavës që kaloi, Ryan Wesley Routh, dhe ai i korrikut , Thomas Matthew Crooks, ishin shfaqur në videot e fushatës të prodhuara nga protagonistë të njohur të konspiracionistëve.
Kështu Crooks u shfaq për disa sekuenca në një reklamë të kompanisë BlackRock të vitit 2022 të filmuar në shkollën e tij të mesme. Ndërkohë Routh, një aktivist pro-ukrainas , u shfaq në një video propagandistike po të vitit 2022, që thuhet se është prodhuar nga neo-nazistët ukrainas të Batalionit Azov.
Dihet ende pak mbi pikëpamjet politike të Crooks. Por fakti që nuk ka pasur ndonjë opinion politik të qartë apo ndonjë prani të madhe në mediat sociale, interpretohet nga adhuruesit e teorive të konspiracionit si një lloj mbulimi institucional. Trump ishte zotuar se do t'i jepte shumë shpejt fund luftës në Ukrainë, me gjasë duke i dhënë disa territore Putinit.
Figura si ish-kontraktori i inteligjencës NSA, i kthyer në një sinjalizues Edward Snowden, dhe që sot jeton në Rusi, tha se lidhjet e Routh me Ukrainën nënkuptojnë se ai duhet të ketë qenë në kontakt me “agjencitë e Shtëpisë së Bardhë”. Teoricienë të tjerë spekulojnë se nxitësi është një element i establishmentit neo-konservator, i interesuar ta mbështesë luftën ndaj Rusisë.
A janë këta njerëz thjesht vegla të institucioneve të “Deep State”, që i frikësohen fitores së Trump? Kush e di. Gjithsesi, është po aq e besueshme alternativa që të mos ekzistojë një komplot i tillë i koordinuar, por që “terrorizmi stokastik” po bëhet shtylla kryesore e politikës në të gjithë spektrin ideologjik.
Termi “terrorizëm stokastik”, përdoret për të përshkruar veprimet politike në jetën reale ose dhunën e frymëzuar nga retorika publike (zakonisht në internet). Teoricienët e saj argumentojnë se kjo dinamikë funksionon kur retorika armiqësore kundër një grupi të jashtëm, me origjinë nga ndonjë lider apo figurë karizmatike, përforcohet nga mbështetësit në një mënyrë që e dehumanizon objektivin dhe tek e fundit legjitimon dhunën ndaj tij.
Nga ana tjetër, një retorikë e tillë mbështetet mbi pretendime që mund të jenë të dyshimta, por që perceptohen si të vërteta emocionale apo ndoshta alegorike. Konkurrenca dixhitale aktuale për dukje dhe klikime, ka prodhuar një luftë retorike të ashpër, pasojat e së cilës nganjëherë mund të përfshijnë sulme në jetën reale ndaj individëve ose grupeve të sulmuara.
Pra të ashtuquajturin terrorizëm stokastik. Kritikët e kësaj dinamike përmendin përsëritjen e thashethemeve nga Trump, si për shembull mbi macet dhe qentë që hahen nga emigrantët haitianë. Kjo histori ka nxitur një reagim të ashpër në Springfield; por s’ka pasur në fakt asnjë provë të ngrënies së kafshëve shtëpiake.
Megjithatë deklarata e Trump ishte aq nxitëse sa që e kapërceu të vërtetën. Kur pretendimi juaj bëhet kaq viral në mediat sociale, e vërteta është e parëndësishme. Efekti emocional i thashethemeve është efektiv si një strategji politike. Dhe kjo nuk është unike për të djathtën.
Edhe të majtët kanë spekuluar mbi Trumpin. Për shembull, shihni përqindjen e lartë të amerikanëve që besojnë se Donald Trump do të firmoste një ndalim mbarëkombëtar të abortit, pavarësisht këmbënguljes së tij të përsëritur se çështja do t’u lihet për të vendosur shteteve.
Por rëndësi nuk kanë faktet por nxitjet emocionale. Ndoshta ne nuk do ta dimë kurrë, nëse ka apo jo ndonjë të vërtetë tek teoritë e konspiracionit. Por sido që të jetë, nuk ka nevojë për një komplot te fshehtë të përfaqësuesve të establishmentit të politikës së jashtme, për ta nxitur dikë që të ndihet i përfaqësuar nga retorika e Trump.
Keni nevojë vetëm për disa gjëra të çuditshme si ato që raportohet se i interesonin edhe Ryan Routh. Pra të jeni tepër i ndjeshëm ndaj arsyetimit emocional partiak. Pastaj, gjithçka që duhet të bëni janë disa kritika në përgjithësi, dhe pa kaluar shumë kohë, dikush do të përpiqet që t’ju “shpëtojë nga ky Trump ngatërrestar”./Përshtati Pamfleti nga “Unherd”
Lini një Përgjigje