
Shqipëria mes ëndrrës së BE-së dhe pengesave të brendshme: 2030-ta, horizont apo iluzion?
Prej më shumë se gjashtë dekadash, pak aspekte të integrimit evropian kanë rezultuar kaq transformuese, apo politikisht me pasoja, sa zgjerimi i kufijve të Bashkimit Evropian. Çdo valë e re e rritjes së territorit të BE-së ka sjellë stabilitet politik në një kontinent që, pas optimizmit të Luftës së Ftohtë, u përball me tragjedinë e shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë.
Megjithatë, pas ankrovimit të shumë vendeve të Europës Lindore në kuadrin institucional të BE-së, erdhi lodhja e zgjerimit. Në dy dekadat e fundit, vetëm Rumania, Bullgaria dhe Kroacia iu bashkuan Unionit. Më e ndjeshme kjo gjendje duket në Ballkanin Perëndimor, ku vendet kandidate po përballen me një proces gjithnjë e më të gjatë e politikisht të pasigurt.
Në fjalimin e saj për “Gjendjen e Unionit” në vitin 2023, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e quajti zgjerimin “një imperativ gjeopolitik”, duke nënvizuar nevojën e pranuar gjerësisht për forcimin e pranisë së BE-së në Ballkanin Perëndimor. Ky qëndrim u konfirmua edhe në Paketën e Zgjerimit të tetorit 2023, ku u theksua se BE duhet të jetë politikisht gati për anëtarë të rinj deri në vitin 2030. Por u shtua edhe se kandidatët duhet të përmbushin me reforma konkrete dhe të matshme standardet e kërkuara. Kushtëzimi mbetet thelbësor; përparimi duhet të jetë mbi bazën e meritës, dhe sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe të drejtat themelore janë elementë kyç të procesit.
Ky konsensus e bën të qartë se nxitimi për arsye vetëm gjeopolitike mbart rreziqe serioze dhe mund të minojë kredibilitetin që politika e zgjerimit ka fituar ndër vite.
Shqipëria: një histori aspiratash dhe tensioni me kushtëzimin
Në këtë panoramë, Shqipëria shfaqet si njëkohësisht rast shprese dhe paralajmërim. Kandidate që prej vitit 2014, vendi hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në korrik 2022. Deri tani janë hapur pesë klastera dhe 28 kapituj negociues, përfshirë gjyqësorin, të drejtat themelore dhe marrëdhëniet e jashtme e ekonomike.
Por, pavarësisht hapave të parë pozitivë, tensioni mes gjeopolitikës dhe kushtëzimit rrezikon të pengojë procesin. Nga njëra anë, Shqipëria është dëshmuar si partnere besnike e BE-së, duke kontribuar në stabilitet rajonal përmes pjesëmarrjes në iniciativa rajonale dhe operacione të NATO-s. Nga ana tjetër, vëmendja ndërkombëtare vazhdon të fokusohet tek dobësitë e institucioneve demokratike, tek reformat ende të papërfunduara të drejtësisë, si dhe tek përplasja mes ambicies strategjike dhe angazhimeve ligjore.
Kryeministri Edi Rama, i cili pas rizgjedhjes në maj 2025 e ka shpallur anëtarësimin në BE si objektivin kryesor politik me horizont vitin 2030, ka një shumicë të fortë parlamentare që teorikisht i jep hapësirë për reforma të thella. Këshilli Evropian në Samitin e Ballkanit Perëndimor të qershorit 2024 përshëndeti angazhimin e tij, ndërkohë që raporti i Komisionit për Shqipërinë në 2023 evidentoi progres në gjyqësor, veçanërisht në procesin e vetingut dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit të lartë nga SPAK-u.
Përparim nën presion
Megjithatë, ky progres është shoqëruar me shqetësime për balancat demokratike. I njëjti raport përmend korrupsionin e vazhdueshëm, mungesën e transparencës dhe ndërhyrjet politike e private në median kombëtare. Vëzhguesit e OSBE/ODIHR në zgjedhjet e fundit parlamentare vunë në dukje një klimë të “thellësisht të polarizuar” dhe përdorimin e burimeve shtetërore për avantazhin e partisë në pushtet.
Në arenën ndërkombëtare, marrëveshja e vitit 2023 me Italinë për ngritjen e qendrave të përpunimit të migrantëve në territorin shqiptar ka ngjallur polemika të mëdha ligjore dhe etike. Komisioneri i Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut e ka kritikuar ashpër marrëveshjen, duke paralajmëruar se mund të minojë detyrimet ndërkombëtare për azil. Gjykata Kushtetuese shqiptare ka pezulluar zbatimin e saj për një rishikim ligjor. Nga Tirana, kjo u prezantua si gjest partneriteti strategjik me një vend kyç të BE-së, por rrezikon të perceptohet si shkelje e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare.
Balancimi mes urgjencës dhe integritetit
Disa analistë argumentojnë se përshpejtimi i anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit do të tregonte vendosmërinë strategjike të BE-së. Por të tjerë paralajmërojnë se ulja e standardeve rrezikon të sjellë regres demokratik brenda vetë Unionit, duke cenuar kredibilitetin e zgjerimit dhe duke forcuar dobësitë institucionale që më pas bëhen të pakthyeshme. Gjithashtu, një mesazh i tillë do të ishte problematik edhe për kandidatët e rinj si Ukraina, Moldavia apo Gjeorgjia – duke u lënë përshtypjen se përputhja gjeopolitike vlen më shumë se gatishmëria institucionale.
Për të ruajtur integritetin e procesit, BE duhet të mbajë konsistencë në zbatimin e kushteve. Kjo përfshin monitorim të vazhdueshëm të zgjedhjeve, pavarësisë së drejtësisë, pluralizmit mediatik dhe luftës kundër korrupsionit. Instrumente si IPA III dhe Mekanizmi i Reformave dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofrojnë mundësi për angazhim më të madh pa kompromentuar standardet.
Aspiratat e Shqipërisë dhe rajonit janë të vërteta dhe legjitime. Edhe pse vonesat mund të hapin hapësira për ndikime të tjera rajonale dhe gjeopolitike, një hap kaq monumental si anëtarësimi në BE duhet të mbetet çështje e gatishmërisë reale, jo e urgjencës politike. E ardhmja e zgjerimit evropian nuk duhet parë si zgjedhje mes gjeopolitikës dhe standardeve, të dyja mund të ecin bashkë, por vetëm nëse ruhet balanca. Përndryshe, rreziku është që anëtarësimi të shndërrohet nga strategji afatgjatë në manovër afatshkurtër. /Përshtati “Pamfleti” “Geopolitical Monitor”
Çfarë nuk ndodh në Shqipëri. Dje me amendament kushtetues Sllovakia njohu se kishte vetëm dy gjini - mashkull dhe femër. Rregullimi kushtetues i të drejtave sociale u zgjerua gjithashtu. Statusi i familjes dhe të drejtat e prindërve u forcuan. Nëna zëvendësuese apo surugato u ndalua. Ndërsa tek ne qeveria ecën me axhenda të dyshimta, të cilat dhe vendet e BE po i rrefuzojnë!