Ballkani nuk është vetëm një objektiv, por edhe një laborator për aktivitetet dashakeqe ruse. Metodat që përdorin rusët për të ndikuar në Ballkan janë të shumanshme...
Ballkani ka qenë për dekada të tëra një vatër tensionesh gjeopolitike. Një rajon, të cilin kompleksitet historike dhe konfliktet etnike e kanë shndërruar në një terren pjellor për manipulimet nga aktorë të huaj. Gjatë dekadës së fundit, Rusia është shfaqur si një forcë jashtëzakonisht përçarëse.
Ajo e ka përdorur ndikimin e saj për ta destabilizuar Ballkanin, dëmtuar unitetin evropian dhe për të sfiduar demokracitë perëndimore. Por pavarësisht provave në rritje të aktiviteteve dashakeqe të Moskës, midis fuqive perëndimore ekziston ende një vetëkënaqësi shqetësuese. Mosveprimi i tyre, rrezikon ta lërë një rajon shumë të rëndësishëm në duart e një kundërshtari agresiv. Interesi i Rusisë për Ballkanin nuk është as i ri dhe as i rastësishëm. Ai është një element i kryesor i agjendës së saj më të gjerë të politikës së jashtme, e cila synon ruajtjen e sferës së ndikimit, projektimin e fuqisë dhe destabilizimin e Evropës.
Me përzierjen e konflikteve historike, ndarjeve etnike dhe paqëndrueshmërisë politike, Ballkani ofron një skenë ideale për strategjinë e Moskës për nxitjen e një kaosi të menaxhuar prej saj. Përmes shkaktimit të destabilitetit në rajon, Rusia synon të arrijë disa qëllime strategjike.
Së pari, ajo do që të parandalojë integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit në institucionet perëndimore, si NATO dhe Bashkimi Evropian. Kjo ishte më se e dukshme në kundërshtimin e zëshëm të Rusisë ndaj zgjerimit të NATO-s, me Malin e Zi në vitin 2017 dhe Maqedoninë e Veriut në 2020-ën.
Të dyja këto vende, kanë viktimë e një sërë fushatash keqinformuese dhe operacionesh të fshehta të orkestruara nga Moska. Ndonjëherë zgjidhja përballë kësaj situate është e thjeshtë, por jo e lehtë për t’u arritur, duke pasur parasysh vështirësinë për të bërë përpjekje. Një zgjidhje e tillë, është izolimi i mëtejshëm i ekonomisë ruse.
Së dyti, Kremlini po e shfrytëzon Ballkanin si një burim presioni, për ta dobësuar dhe përçarë BE-në. Lodhja nga zgjerimi i unionit dhe indiferenca e perceptuar e bllokut ndaj rajonit, kanë krijuar hapësirën e duhur që Rusia të paraqitet si një partnere alternative, sidomos në vende si Serbia, ku ndjenjat pro-ruse janë ende shumë të forta.
Duke e mbajtur Ballkanin në një gjendje pasigurie të përhershme, Moska shpreson të shfrytëzojë përçarjet brenda BE-së, të nxisë mosmarrëveshjen midis vendeve anëtare, dhe ta shkatërrojë kohezionin evropian.
Së fundi, veprimet e Rusisë në Ballkan shërbejnë si terrene trajnimi për taktikat e saj më të gjera të luftës hibride. Moska i ka përsosur teknikat e saj të ndikimit, duke filluar nga sulmet kibernetike e deri tek fushatat e keqinformimit. Ajo i përdor ato edhe në pjesë të tjera të botës, përfshirë Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme.
Prandaj, Ballkani nuk është vetëm një objektiv, por edhe një laborator për aktivitetet dashakeqe ruse. Metodat që përdorin rusët për të ndikuar në Ballkan janë të shumanshme. Ato kombinojnë fuqinë e ashpër me taktikat e sofistikuara të fuqisë së butë. Kremlini ka përdorur një gamë të gjerë mjetesh, përfshirë varësinë nga energjia ruse, korrupsionin politik dhe propagandën agresive, për të konsoliduar ndikimin dhe arritur synimet e tij.
Rusia ka qenë shumë e suksesshme në fushatat e keq-informimit, duke shfrytëzuar peizazhin e fragmentuar mediatik të rajonit dhe qëndrueshmërinë e dobët institucionale. Sipas Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), keqinformimi rus synon kryesisht Ballkanin, duke përhapur çdo ditë qindra lajme të rreme dhe teori konspirative për të nxitur tek qytetarët ndjenja anti-perëndimore, si dhe për të thelluar ndarjet sociale.
Mediat shtetërore ruse si Sputnik dhe Russia Today, kanë krijuar baza të forta në rajon, duke transmetuar përmbajtje që lavdërojnë fuqinë ruse, e përçmojnë Perëndimin dhe nxisin ndjenjat nacionaliste. Varësia energjetike, është një armë tjetër e fuqishme në arsenalin e Moskës.
Rusia mbetet furnizuesi kryesor me gaz natyror për disa vende të Ballkanit, përfshirë Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën, dhe e përdor këtë varësi për të ushtruar ndikim politik. Për shembull, Serbia, e cila është thuajse tërësisht e varur nga gazi rus, nuk i ka respektuar sanksionet e BE-së kundër Moskës.
Po ashtu, Kremlini ka investuar shumë në projekte të infrastrukturës energjetike, siç është një gazsjellës që e sjell energjinë ruse në zemër të Ballkanit. Nga ana tjetër, Moska ka kultivuar sistematikisht aleanca politike në Ballkan, dhe e ka bërë këtë përmes një kombinimi të stimujve financiarë, mbështetjes politike dhe operacioneve të fshehta.
Ky ndikim është më i dukshëm në Serbi dhe Republikën Srpska, entiteti me shumicë serbe i Bosnje Hercegovinës, ku Moska ka ndërtuar lidhje të forta me udhëheqësit nacionalistë që mbështesin retorikën dhe politikat anti-perëndimore. Dhe pavarësisht synimeve dhe veprimeve të qarta të Rusisë në Ballkan, përgjigja e SHBA-së dhe BE-së ka qenë tepër e dobët.
Në vend se të përballen drejtpërdrejt me aktivitetet dashakeqe të Moskës, fuqitë perëndimore kanë reaguar shpesh me vonesë për shkak të ndarjeve të tyre të brendshme, dhe sepse janë marrë me kriza të tjera globale. Kjo mungesë vendosmërie e ka trimëruar Rusinë, duke i dhënë mundësi të zgjerojë ndikimin në Ballkan. Për këtë neglizhencë është veçanërisht fajtore BE-ja.
Edhe pse Brukseli ka bërë ndaj vendeve të Ballkanit premtime të paqarta për anëtarësim në të ardhmen, ka dështuar t’u ofrojë një strategji zgjerimi koherente dhe të besueshme. Kjo e ka lënë rajonin të prekshëm ndaj manipulimit rus dhe të zhgënjyer me perspektivat e integrimit evropian.
Ndërkohë, SHBA-ja e ka lënë Ballkanin në periferi të prioriteteve të politikës së saj të jashtme, duke u fokusuar në kundërshtimin e agresionit rus në Ukrainë dhe forcimin e krahut lindor të NATO-s. Por duke e shpërfillur Ballkanin, Uashingtoni rrezikon të krijojë një front të ri në luftën kundër ndikimit rus.
Për t’iu kundërvënë me efektivitet ndikimit të keq të Rusisë në Ballkan, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet së pari ta pranojnë urgjencën e kërcënimit rus dhe të tregojnë një angazhim të ripërtërirë ndaj rajonit. Dhe kjo gjë kërkon një zhvendosje nga pozicioni aktual reaktiv, në një strategji pro-aktive që të trajtojë shkaqet rrënjësore të paqëndrueshmërisë dhe të forcojë qëndrueshmërinë e demokracisë.
BE-ja dhe SHBA-ja duhet të zhvillojnë një strategji koherente dhe të koordinuar, e cila i jep përparësi Ballkanit si një fushëbetejë gjeopolitike kyçe. Kjo strategji, duhet të përfshijë dimensionet politike, ekonomike dhe të sigurisë, duke përdorur të gjitha mjetet e disponueshme për të kundërshtuar ndikimin rus, nga presioni diplomatik tek ndihma financiare.
Për të luftuar si duhet fushatat ruse të keqinformimit, Perëndimi duhet të investojë në forcimin e mediave të pavarura në rajon. Këtu duhet të përfshihet financimi i nismave të kontrollit të fakteve, mbështetja e gazetarisë investigative dhe promovimi i edukimit mediatik, për t’i ndihmuar qytetarët të dallojnë të vërtetën nga propaganda.
Nga ana tjetër, është e nevojshme që BE dhe SHBA të punojnë më shpejt dhe në mënyrë më efektive për të reduktuar varësinë e Ballkanit nga energjia ruse, duke investuar në projektet e energjisë së rinovueshme dhe zhvillimin e infrastrukturës. Vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së duhet të rrisin bashkëpunimin e sigurisë me vendet e Ballkanit, duke ofruar trajnime, shkëmbimin e të dhënave të inteligjencës dhe ndihmë ushtarake për të kundërshtuar taktikat e luftës hibride të Rusisë.
Kjo duhet të përfshijë kryesisht forcimin e mbrojtjes kibernetike, dhe rritjen e rezistencës ndaj fushatave keqinformuese dhe ndërhyrjeve në zgjedhje. Në rast se SHBA-ja dhe BE-ja dështojnë të veprojnë me vendosmëri, rrezikojnë ta humbasin Ballkanin, duke e lënë atë nën kontrollin e një fuqie armiqësore që synon të minojë vlerat, interesat dhe sigurinë e tyre.
Ballkani, tashmë një vatër e ankesave historike dhe tensioneve etnike, mund të bëhet lehtësisht vatra tjetër e nxehtë në fushatën e Rusisë për të destabilizuar Evropën. Strategu legjendar Zbigniew Brzezinski paralajmëroi dikur:”Historia nuk është një rastësi. Rruga drejt stabilitetit dhe paqes, kërkon një vendosmëri të qartë dhe angazhim të qëllimshëm”.
Ndaj ka mbaruar koha e vetëkënaqësisë. Perëndimi duhet të kuptojë realitetin e ndikimit dashakeq të Rusisë në Ballkan, dhe të ndërmarrë veprime të guximshme e vendimtare para se të jetë tepër vonë. Dështimi për ta bërë këtë, rrezikon jo vetëm të ardhmen e Ballkanit, por edhe stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të Evropës. Ora po troket, dhe tani është momenti për veprim vendimtar nga SHBA, BE dhe Britania e Madhe. /Përshtati “Pamfleti” nga “Kyiv Post”
Shënim: Orhan Dragaš, ekspert serb për sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai është themelues dhe drejtor i Institutit Ndërkombëtar mbi Sigurinë me qendër në Beograd.
Lini një Përgjigje