Lufta e ardhshme botërore mund të fillojë me një “aksident” në Panama...
“Nuk ka absolutisht asnjë ndërhyrje apo përfshirje të Kinës, në ndonjë gjë që ka të bëjë me Kanalin e Panamasë. Në kanal nuk ka asnjë kinez, por edhe asnjë fuqi tjetër botërore”- deklaroi presidenti panamez Jose Raul Mulino në një konferencë për mediat më 26 dhjetor të vitit që sapo lamë pas.
Mulino po i përgjigjej akuzave publike të Donald Trumpit. Një ditë më herët presidenti i zgjedhur i SHBA-së, postoi këtë deklaratë në rrjetin e tij Truth Social: “Gëzuar Krishtlindjet për të gjithë, përfshirë ushtarët e mrekullueshëm të Kinës, të cilët me dashuri, por në mënyrë të paligjshme, po patrullojnë në Kanalin e Panamasë!”.
Në fakt, është e vërtetë që tani për tani në Zonën e Kanalit nuk ka ushtarë me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore. Por ky nuk është fundi i historisë. Sepse atje ndodhen me siguri operativë kinezë dhe personeli ushtarak me veshje civile.
Kanali i Panamasë, është një pikë jetike e transportit global, të cilën Pekini synon që ta kontrollojë dhe padyshim ta mbyllë në momentet para luftës së ardhshme globale. Prandaj, Trump kishte të drejtë që e theksoi këtë çështje në urimin e tij të Krishtlindjeve drejtuar ateistëve të Kinës.
“Panamaja ka varur në qafë një bërxollë derri gjigante!”- më tha korrespondenti i luftës Michael Yon nga Zona e Kanalit. “Ajo quhet Kanali i Panamasë, dhe një bishë e uritur do të dëshirojë që ta rrëmbejë atë!”.
Edhe Donald Trump shprehu të njëjtin qëndrim, duke thënë se Amerika nuk do të lejojë kurrë që kjo ngushticë jetike të “bjerë në duar të gabuara”, duke iu referuar Kinës. E vërteta është se Zona e Kanalit - dhe vetë Panamaja - kanë rënë tashmë nën ndikimin e Kinës, dhe regjimi komunist është tashmë në gjendje që ta mbyllë atë nëse ia kërkon nevoja.
Për shembull, kompania CK Hutchison Holdings, drejton nëpërmjet aksioneve të saj në Panama Ports Company, një port në Balboa, në fundin e kanalit të Paqësorit dhe në Cristobal, pranë fillimit të ujërave të Atlantikut.
Prandaj, Hutchison është operatori më i madh portual në zonë. Autoriteti Detar i Panamasë e rinovoi në qershor 2021 koncesionin 25-vjeçar të Hutchison për të dyja portet. Zyrtarisht, Hutchison është një kompani private në Hong Kong.
Por në sistemin e Partisë Komuniste, asnjë ent në Republikën Popullore nuk mund të injorojë ose të mos i bindet një urdhri që vjen nga partia në pushtet. Në kohë lufte, këto objekte, edhe pse në pronësi private, do të kontrolloheshin nga Ushtria Popullore Çlirimtare.
“Unë isha në Panama rreth një muaj më parë. Po fluturoja përgjatë Kanalit të Panamasë dhe pashë të gjitha ndërmarrjet shtetërore nga PRC në secilën anë të Kanalit të Panamasë”- tha gjeneralja Laura Richardson në korrik 2022, në atë kohë kreu i Komandës Jugore të SHBA-së, gjatë Forumit të Sigurisë në Aspen.
“Në pamje të parë, ato duken si kompani civile ose ndërmarrje shtetërore. Por mund të kenë përdorim të dyfishtë, dhe mund të përshtaten shpejt si asete ushtarake”- nënvizoi ajo.
“Ekzistojnë shumë mënyra se si një aktor i njohur si Republika Popullore e Kinës, kompanitë dhe agjentët e saj, mund ta mbyllin përkohësisht kanalin”- më tha këtë muaj R.Evan Ellis, profesor i Studimeve të Amerikës Latine në Kolegjin e Luftës të Ushtrisë Amerikane.
“Rreziku nuk vjen dhe aq nga kontrolli fizik i porteve në të dyja anët e kanalit, por nga njohuritë dhe qasja që vjen nga aktivitetet e rëndësishme tregtare të Kinës dhe aktivitetet e tjera në të gjithë Panamanë”- shton ai.
Ndër të tjera, prania tregtare në zonë, i ofron Kinës bazat nga të cilat mund të veprojë. Për më tepër, Pekini është goxha i përfshirë në infrastrukturën e zonës, duke përfshirë sistemet e telekomunikacionit të furnizuara nga kompania e saj Huawei Technologies, si dhe kamerat e vëzhgimit dhe pajisjet e tjera të ofruara nga kompania tjetër kineze Hikvision.
Dhe pastaj është ura e katërt mbi kanal, e cila është në fazat e hershme të ndërtimit nga kinezët. Deri më tani, siç raporton Yon, ka vetëm pika mbështetëse, por së shpejti do të ketë një hapësirë mbi ujë.
Siç vëren korrespondenti, kinezët mund ta projektojnë ose ndërtojnë strukturën në mënyrë që ajo të mund të shembet lehtësisht. “Le të kujtojmë pak se çfarë ndodhi kur një anije me kontejnerë pësoi avari, dhe goditi një skelë të urës Francis Scott Key në portin e Baltimores në SHBA marsin e vitit të kaluar.
Porti u mbyll, ndërsa vinçat e çliruan anijen dhe e hoqën çelikun dhe betonin nga kanali. Tani imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse kinezët përplasnin një urë apo do të bllokonin kanalin në Panama. Dhe kanalet janë veçanërisht të ndjeshme ndaj aksidenteve.
Për shembull, në marsin e vitit 2021, Ever Given, një anije e transportit të kontejnerëve në pronësi të kompanisë Evergreen, pësoi avari dhe e bllokoi për 6 ditë Kanalin e Suezit. Ka të ngjarë që kështu të bllokohet edhe Kanali i Panamasë.
Sidomos në seksionin e tij më të ngushtë Culebra, ku mund të ngecin anijet më të mëdha. Ndërkohë, ekzistojnë shumë mënyra të tjera për të mbyllur kanalin. Zyrtarët amerikanë dhe panamezë i kanë kataloguar ato, dhe kanë hartuar plane të emergjencës.
Fatkeqësisht, këto masa paraprake nuk janë ndoshta të mjaftueshme. “Ashtu si në rastin e terrorizmit, siç na e kujtoi ngjarja e fundit tragjike në Neë Orleans, sa më e madhe të jetë qasja dhe njohuria që ka kundërshtari mbi një hapësirë tranziti të mbushur me njerëz me objektiva të shumtë të mundshëm, aq më e vështirë është të mbrohesh gjatë gjithë kohës nga çdolloj emergjence”- thotë Ellis.
Siç raporton Yon, pavarësisht pilotëve me shumë përvojë të zonës së kanalit që drejtojnë anijet, aksidente ka edhe në kohë paqeje. Mjafton të mendoni sa shumë grindje mund të kishte, nëse ndonjë palë armiqësore do të përpiqej që t’i shkaktonte ato.
Në pritje të një lufte në Azinë Lindore, Marina Amerikane do ta përdorte kanalin për të lëvizur anijet dhe nëndetëset nga Atlantiku në Paqësor. Një incident në një rrugë ujore, siç na paralajmëron Ellis, mund të jetë një tregues i hershëm - ndoshta i pari - se Kina mund të synojë të përdorë forcën në anën tjetër të botës. Rrjedhimisht, lufta e ardhshme botërore mund të fillojë me një “aksident” në Panama./Përshtati Pamfleti nga “Newsweek”
Lini një Përgjigje