
Nga Tirana në Nju Delhi, të rinjtë po dalin në rrugë për arsye të ndryshme, por me të njëjtin mesazh: sistemi nuk u ofron më perspektivë. Korrupsioni, mungesa e mundësive dhe pasiguria për të ardhmen, po ushqejnë një valë pakënaqësie që po përhapet përtej kufijve dhe kontinenteve...
Zemërimi i Brezit Z ka shpërthyer edhe në Indi. Pas protestave në Nepal, Madagaskar, Peru dhe Marok, edhe të rinjtë indianë kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Nuk bëhet fjalë për protesta të izoluara, por për një krizë brezash, të thellë dhe ekzistenciale, ndaj së cilës qeveritë duket se nuk po arrijnë të japin përgjigje bindëse. Në Indi, revolta nisi për shkak të korrupsionit që sipas protestuesve, ka kapur deri edhe konkurset dhe testet e pranimit në universitete, procese që përcaktojnë të ardhmen e miliona të rinjve.
Situata u përshkallëzua kur gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Surya Kant, i quajti protestuesit “buburreca”. Kjo deklaratë e shndërroi pakënaqësinë në një lëvizje masive. “Partia e Buburrecave", e krijuar spontanisht në rrjetet sociale, bashkoi virtualisht miliona të rinj dhe u kthye në një sfidë të paprecedentë për kryeministrin Narendra Modi, pushteti i të cilit është forcuar vazhdimisht gjatë dekadës së fundit.
Shkaku i protestave ndryshon nga një vend në tjetrin, por burimi i zemërimit mbetet pothuajse i njëjtë: shoqëri të bllokuara, korrupsion i përhapur, mundësi ekonomike gjithnjë e më të pakta dhe një klasë politike që shihet si e shkëputur nga realiteti dhe shqetësimet e brezit të ri.
Brezi në revoltë
Një tjetër element i përbashkët është përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale, terren ku të rinjtë lëvizin shumë më natyrshëm se brezat e mëparshëm. Partia e Modit, Bharatiya Janata Party (BJP), konsiderohej prej kohësh një nga forcat politike më të afta në komunikimin dixhital, por këtë herë u përball me një kundërshtar po aq të organizuar në hapësirën virtuale.
Në Indi, protesta përfundoi me një fitore simbolike. Pas 45 ditësh demonstratash, ministri i Arsimit, Dharmendra Pradhan, dha dorëheqjen. Megjithatë, kjo nuk i zgjidhi problemet që e nxitën revoltën.
Shkaqet mbeten të paprekura dhe janë shumë më të thella se përgjegjësia e një ministri. Papunësia e lartë e të rinjve është një plagë që prek si Kinën ashtu edhe Indinë, dy vendet më të populluara në botë, pavarësisht se kanë sisteme politike dhe ekonomike krejtësisht të ndryshme.
Në Indi, korrupsioni është kthyer në simbolin e një sistemi që, sipas të rinjve, favorizon elitën dhe u mbyll dyert brezave të rinj. Pamjet e mijëra të rinjve që protestojnë në Nju Delhi nuk mund të konsiderohen thjesht si një episod kalimtar.
Edhe në Shqipëri, i ashtuquajturi “Revolucioni i Flamingove”, lindur pas kundërshtimit ndaj ndërtimit të një projekti turistik në një zonë të mbrojtur, është bërë simbol i rezistencës kundër korrupsionit dhe vendimmarrjes që shpërfill interesin publik.
Në këtë panoramë nuk mund të injorohen as kërcënimet e tjera që rëndojnë mbi brezin e ri: kriza klimatike, pasiguritë gjeopolitike dhe përparimi i shpejtë i inteligjencës artificiale, një teknologji që ngjall njëkohësisht shpresë dhe frikë.
Do të ishte gabim të mendohej se kjo valë pakënaqësie prek vetëm vendet në zhvillim. Edhe demokracitë më të pasura dhe më të konsoliduara e kanë gjithnjë e më të vështirë t’u japin përgjigje shqetësimeve të brezit të ri.
Diskursi politik shpesh mbetet sipërfaqësor dhe i paaftë për të rikthyer besimin e të rinjve, të cilët ndihen të bllokuar përballë një të ardhmeje të pasigurt. Të jesh 20-vjeç në vitin 2026 nuk është e lehtë, pavarësisht vendit ku jeton.
Rrallëherë brezat e rinj janë përballur me një kombinim kaq të madh pasigurish klimatike, gjeopolitike, ekonomike dhe teknologjike. Populistët dhe demagogët përfitojnë nga këto frikëra, por kur marrin pushtetin, rrallëherë arrijnë që të ofrojnë zgjidhje reale.
Brezi Z ka energjinë e moshës dhe zotëron mjetet më të avancuara të komunikimit, por ende nuk ka ndërtuar një projekt politik alternativ. Pak para ngjarjeve të majit 1968, gazetari francez Pierre Viansson-Ponté shkruante se “Franca po mërzitet!”.
Të rinjtë e sotëm nuk po përjetojnë mërzi, por ankth dhe pasiguri. Nëse politika nuk arrin t’u japë përgjigje sfidave të kohës sonë, zhgënjimi i tyre mund të shndërrohet në një valë trazirash të ngjashme me ato që kanë shënuar periudhat më të trazuara të historisë moderne./Pamfleti nga “Le Nouvel Obs”
Lini një Përgjigje