
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu pasditen e së dielës pyllin e Sodës në Vlorë, ku më shumë se pesë hektarë me pisha të buta u dogjën nga flakët. I favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, zjarri u përhap me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit, duke rrezikuar edhe zonën përreth.
Në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse të Vlorës me të gjitha mjetet në dispozicion, të mbështetura nga banorë të zonës, si edhe nga pronarë dhe punonjës të restoranteve pranë pyllit. Për më shumë se tre orë, ekipet punuan pa ndërprerje për të izoluar dhe më pas për të shuar flakët.
Në operacion u angazhuan gjithashtu efektivë të Policisë së Vlorës, strukturat e Bashkisë dhe forca të FNSH-së Fier, të cilat monitoruan situatën dhe garantuan sigurinë në zonë.
Sipas të dhënave nga terreni, vatra kryesore e zjarrit është vënë nën kontroll dhe procesi i shuarjes po vijon. Megjithatë, zjarrfikësit mbeten në gatishmëri dhe vazhdojnë monitorimin e zonës për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm të flakëve, pasi era e fortë mund të favorizojë rindezjen e vatrave të mbetura.
Deri më tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarri.
Lini një Përgjigje