TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi29 Maj 2023, 14:15

Të babëziturit, pa u dekretuar ligji, Delina kalon 510 milionë lekët e shtesës së pagave prill-maj për shtetarët

Shkruar nga Pamfleti
Të babëziturit, pa u dekretuar ligji, Delina kalon 510 milionë
Delina Ibrahimaj

Të babëziturit mavi, blu e të kuq, që quhen pozitë e opozitë dhe akuzojnë njeri-tjetrin si hajdutë e kriminelë, përveç pazarit për dyfishimin e pagave të tyre, kanë rënë dakord që shtesën nga rritja për muajin  prill-maj ta marrin më 1 qershor bashkë me pagën e re, pa hyrë ligji në fuqi...

Aq në hall paska qenë për bukën e gojës Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Kryeministri Edi Rama, Zv/kryeministrja Belinda Balluku, ministrat dhe deputetët, sa jo vetëm e miratuan brenda ditës ligjin për rritjen e pagave të tyre, por e zbatuan brenda 24 orëve.

Zbatimi i ligjit për rritjen e pagave, është një skandal i rëndë anti-kushtetues i qeverisë, mbasi ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, ka transferuar fondin në llogarinë e Kuvendit, pa u dekretuar ligji nga Presidenti i Republikës, pra, sipas Kushtetutës është akoma projekt-ligj.

Nuk ka asnjë dyshim, që Presidenti Bajram Begaj, e dekretoi sot rritjen e pagës së tij e të pushtetarëve, por ende pa e dekretuar, ministrja Delina Ibrahimaj ka kaluar në Thesarin e Shtetit shtesën e rritjes pagave për muajt prill-maj 2023.

Sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, ditën e premte, ose më saktë 1 ditë pas votimit të ligjit në parlament, në llogarinë e Kuvendit janë transferuar 510 milionë lekë shtesa e paga, me efekt likuidimi prapa veprues në zbatim të ligjit.

Të babëziturit mavi, blu e të kuq, që quhen pozitë e opozitë dhe akuzojnë njeri-tjetrin si hajdutë e kriminelë, përveç pazarit për dyfishimin e pagave të tyre, kanë rënë dakord që shtesën nga rritja për muajin  prill-maj ta marrin më 1 qershor bashkë me pagën e re, pa hyrë ligji në fuqi.

Sipas përllogaritjes, më 1 qershor, 140  deputetët do marrin nga 4 milionë  e 446 mijë lekë në një dorë; që janë 1 milionë e 360 mijë lekë shtesa e rritjes për prillit dhe 3.1 milionë lekë paga e re për muajin maj.

Ministrat  do marrin nga 4 milionë e 410 mijë lekë; që janë 1 milionë e 310 mijë lekë shtesa e rritjes së pagës për muajin prill dhe 3 milionë e 180 mijë lekë paga e re e muajit maj, ndërsa Edi Rama e Lindita Nikolla, do marrin në një dorë nga 5 milionë e 600 milionë lekë.

Nxitimi për të  marrë sa më shpejtë shtesën e prapambetur dhe pagat e reja të muajit majit, u tha hapur në këto deklarata ditën e votimit të ligjit në parlament:

Ermonela Felaj, drejtuese seancës parlamentare tha: - “Propozojë që fillimisht të votojmë rritjen e pagave, që presidenti ta dekretojë para nisjes për vizitë në Itali. (të gjithë ngritën kartonët PO).

Taulant Balla, tha: - “Kolegë, ta votojmë ligjin e pagave menjëherë e ta çojmë në Presidencë, sepse kemi rënë dakord me Presidentin Bajram Begaj, që ta pranojë e dekretojë ”.

Gazmend Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD, tha: “Jemi dakord me ligjin për pagat dhe ta votojmë të parin, duke kapërcyer rendin e ditës”.

Edi Rama, tha: - “Deputetët e meritojnë rritjen e pagave, sepse kanë hartuar shumë ligji për interesat e vendit e të qytetarëve dhe i ftojë ta votojnë”.

Që sajuan dhe votuan ligjin për dyfishimin e pagave të tyre, këtë maskarallëk e bënë në pazar të hapur, por përse e zbatuan pa e dekretuar Presidenti dhe pa u publikuar në Fletore Zyrtare, që është i vetmi akt Kushtetues i hyrjes në fuqi të çdo ligji./Pamfleti 

Lini një Përgjigje