TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi22 Shkurt 2024, 16:41

A po merr Shqipëria naftë ruse?

Shkruar nga Pamfleti
A po merr Shqipëria naftë ruse?
Rritet importi i naftës nga India

Shqipëria ka rritur ndjeshëm importin e naftës nga India, por mediat ndërkombëtare shkruajnë se nafta që eksporton India është naftë ruse...

Ditën e sotme qarkulloi një lajm se ka pasur një rritje të ndjeshme në Shqipëri të importit të naftës nga India.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, më 2023 u importuan 614 mijë tonë karburante, me rritje vjetore 10,3%. Furnitori kryesor i importuesve shqiptarë, kompania shumëkombëshe OMV, po e blen tani naftën nga rafineritë e Indisë.

Burimet nga Shoqata e Karburanteve pohuan së në Indi ndodhen rafineritë e mëdha të naftës dhe furnizimi po bëhet për arsye të çmimeve të pranueshme. Grosistët bënë të ditur se furnitori kryesor i importuesve shqiptarë është kompania shumëkombëshe OMV, e cila blen naftë në tregje që paraqiten fisibël në çmime.

Por mediat ndërkombëtare kanë nxjerrë një lajm, ku bëjnë me dije se nafta që eksporton India është naftë ruse. Moska përdor Indinë për të dërguar naftën e saj në shumë shtete.

Sipas CNN, Rusia po hyn në vitin e tretë të luftës në Ukrainë me një sasi të paprecedentë parash në arkat e qeverisë, e përforcuar nga shitja rekord prej 37 miliardë dollarësh e naftës së papërpunuar në Indi vitin e kaluar. Kjo naftë më pas është ekspertuar nga India në shumë shtete, ku mesa duket dhe në Shqipëri. Po ashtu një sasi e madhe ka shkuar në SHBA e vende të BE.

Ky fluks pagesash, përfundimisht në dobi të Moskës, vjen nga India duke rritur blerjet e saj të naftës së papërpunuar ruse me mbi 13 herë sasinë e saj të paraluftës, sipas analizës nga Qendra për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA)”, shkruan CNN.

Ndërsa, sipas “Economic Times”, mbi një e treta e eksportit të produkteve të naftës së Indisë në vendet e koalicionit të udhëhequr nga G7 rrjedh nga nafta e papërpunuar ruse.

Sipas artikullit, vendet që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, kanë ndaluar naftën normale, por kanë bërë lëshime për produktin bruto dhe në lojë ka hyrë India. Kjo e fundit merr naftë bruto, e rafinon dhe më pas e shet te vendet “armike” të Rusisë. Si duket edhe kompanitë shqiptare kanë përfituar, pasi të njëjtën gjë kanë bërë SHBA, vendet e BE, Australia, etj. /Pamfleti

Lini një Përgjigje