Rindërtimi i kombëtares italiane pas zhgënjimeve të fundit në skenën ndërkombëtare mund të nisë mes debatesh dhe përplasjesh të brendshme. Ndërsa emrat e Xhovani Malagos për presidencën e federatës dhe Paolo Maldinit për rolin e drejtorit teknik janë pritur pozitivisht, ideja e emërimit të Andrea Pirlos si trajner i “Azzurrëve” ka ndarë opinionet në futbollin italian.
Drejtuesit e rinj të Federatës Italiane të Futbollit po analizojnë mundësinë që ish-mesfushori legjendar të marrë drejtimin e kombëtares. Sipas raportimeve, Malago, Maldini dhe këshilltari Leonardo kanë nisur kontaktet për të diskutuar me Pirlon rreth një projekti të mundshëm. Megjithatë, klubet e Serisë A duket se kanë një tjetër zgjedhje: Antonio Konten.
Sipas mediave italiane, klubet e elitës besojnë se trajneri aktual i Napolit do të ishte kandidati më i përshtatshëm për të marrë drejtimin e Italisë pas Xhenaro Gatuzos. Përvoja, karakteri dhe aftësia e Kontes për të menaxhuar situata me presion të lartë shihen si elementë të rëndësishëm në një moment delikat për futbollin italian.
Ndërkohë, një tjetër emër i preferuar nga Xhovani Malago është Roberto Mançini. Presidenti i mundshëm i federatës ka një marrëdhënie të konsoliduar me ish-trajnerin e Italisë, çka tregon se gara për pankinën e “Azzurrëve” nuk është ende e vendosur dhe përfshin disa alternativa.
Për më tepër, Andrea Pirlo nuk duket se gëzon mbështetje të madhe as nga tifozët. Në një sondazh të zhvilluar nga “SportMediaset”, ku morën pjesë mbi 30 mijë votues, ish-ylli i Milanit dhe Juventusit rezultoi kandidati më pak i preferuar për drejtimin e kombëtares. Pirlo mori vetëm 2% të votave, shumë më pak se Pep Guardiola (45%), Karlo Ançeloti (28%) dhe Antonio Konte (15%).
Dyshimet për një emërim të mundshëm të Pirlos janë shprehur edhe nga disa prej analistëve më të njohur të futbollit italian. Kritikat lidhen kryesisht me mungesën e rezultateve të qëndrueshme në karrierën e tij si trajner, pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm që pati si lojtar.
Gazetari i “Corriere della Sera”, Fabricio Ronkone, ka argumentuar se Pirlo ende nuk ka eksperiencën e nevojshme për të udhëhequr Italinë në një fazë rindërtimi. Sipas tij, Pirlo mbetet një ikonë e futbollit botëror, por kalimi nga fusha te pankina ka rezultuar shumë më i ndërlikuar nga sa pritej.
Edhe Stefano Agresti, zv/redaktor i “Gazzetta dello Sport”, ka theksuar se kritikat ndaj Pirlos nuk janë personale, por lidhen me faktin se aventura e tij si trajner deri tani nuk ka qenë bindëse. Ai përmendi shkarkimin nga Juventusi, periudhën e vështirë në Turqi dhe eksperiencën jo të suksesshme te Sampdoria.
Sipas Agrestit, zgjedhja më e mirë për Italinë do të ishte Antonio Konte, i cili shihet nga shumë figura të futbollit italian si trajneri me profilin e duhur për të rikthyer mentalitetin fitues dhe besimin te kombëtarja.
Federata Italiane pritet të marrë një vendim në ditët e ardhshme dhe synon që trajneri i ri të prezantohet përpara takimit me klubet e Serisë A, më 23 korrik. Nëse zgjedhja përfundimtare do të jetë Andrea Pirlo, sfida e tij e parë do të jetë jashtëzakonisht e madhe: të bashkojë një ambient të përçarë dhe të rikthejë entuziazmin e tifozëve për “Azzurrët”.
Lini një Përgjigje